ZK1A1487

Medreseja e Tiranës organizoi të premten një program artistik kushtuar Kuranit.

Në këtë aktivitet të ndërthurur me leximin e ajeteve të Kuranit, ilahi, poezi, dhe aktrim, u përçuan mesazhet dhe vlerat universale të  Islamit.

Në program morën pjesë, kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj, rektori i Universitetit Bedër, z. Ferdinand Gjana, drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Omer Çallësh, mesues, prindër dhe nxënës.

Kryetari i KMSH-së z. Skënder Bruçaj, vlerësoi nxënësit e Medresesë, për vullnetin dhe dëshirën e tyre në përvetësimin dhe përcjelljen e mesazheve të Kuranit.

“Kurani është drita e amshueshmërisë, dhe sa më shumë ta njohim dhe ta lexojmë aq me afër do i jemi harmonisë shpirtërore.”, u shpreh z. Bruçaj.

Drejtori i shkollës, Omer Çallësh, bëri të njohur qëllimin e organizimit të këtij programi, teksa u shpreh: “Me këtë program duam të të promovojmë edhe njëherë mesazhet e larta të Kuranit, mesazhet  e jetës. Allahu e ka lidhur lumturinë e të dy botëve pas udhëzimeve të Kuranit”.

Ndërsa rektori i Universitetit Bedër, z. Ferdinand Gjana falenderoi Medresenë e Tiranës për kontributin e saj dhe punën e palodhur të stafit në ndërtimin e një brezi premtues, duke i njohur ata me besimin dhe shkencën njëkohësisht.

Gjatë këtij programi u transmetua edhe reportazhi i realizuar nga Komuniteti Mysliman, “Mrekullia e Kuranit”.  Nxënësit e Medresesë aktruan pjesë teatrale duke sjellë në vëmendje mikpritjen dhe respektin e mbretit të Abisinisë, Nexhashiut, ndaj myslimanëve.

Aktiviteti u zhvillua  në ambientet e Universitetit Bedër.

18 mars 2016

  ZK1A1486  ZK1A1443ZK1A1498 ZK1A1451ZK1A1459ZK1A1466 ZK1A1521   ZK1A1558