UNIVERSITETI HËNA E PLOTË – BEDËR

Duke parë zhvillimet globale dhe ata në Shqipëri, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë i kujdesshëm, që krahas realizimit të misionit dhe qëllimeve të tij institucionale, të marrë parasysh realitetin dhe situatën kombëtare dhe atë sociale. KMSH ka qenë gjithmonë i kujdesshëm në zhvillimin e aktiviteteve dhe promovimit të vlerave islame, pa prishur ekuilibrat dhe trashëgiminë e vlerave tradicionale shqiptare, i cili ka rezultuar të jetë një model ideal për vendin tonë, duke u përputhur plotësisht me parimet e ruajtjes së harmonisë mes besimeve të ndryshme që ka shoqëria shqiptare.

Një nga treguesit më objektiv dhe më të qartë të strategjive që Komuniteti Mysliman ka ndjekur, janë edhe modeli i shumicës së medreseve, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë të rinj të arsimuar nga njëra anë me vlera fetare dhe patriotike, dhe nga ana tjetër të formuar me dijet e shkencës dhe teknologjisë, e cila u hap dritaret e botës përreth këtyre intelektualëve të ardhshëm, të cilët pas studimeve të mesme vazhdojnë studimet e larta në specialitete të ndryshme si shkenca islame, inxhinieri, mjekësi, juridik, ekonomik, shkenca sociale, etj.

Studimet universitare dhe pasuniversitare të këtyre të rinjve kanë qenë të suksesshme dhe ata kanë qenë në gjendje të konkurrojnë denjësisht si në universitetet brenda vendit edhe jashtë tij.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ka themeluar Universitetit “Bedër” me një vendim të Kryesisë së KMSH-së me dt. 15.09.2010. Ky universitet synon dhënien e një arsimi të lartë të përshtatshëm me kulturën, traditat dhe karakteristikat e shoqërisë shqiptare, duke mbajtur në bazat e tij, themelet dhe kushtet e besimit dhe fesë islame.

Ky universitet do të jetë një institucion i standardeve ndërkombëtare, duke synuar tërheqjen dhe arsimimin e të rinjve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet e rajonit dhe Evropa, duke u bërë kështu një qendër e promovimit të vlerave islame dhe atyre shqiptare.

Universiteti Bedër do të ofrojë programe studimore të ciklit të parë dhe të dytë në fushat e shkencave humane, si dhe të filologjisë me qëllim parësor kualifikimin akademik të studentëve të këtij universiteti.

Universiteti do të ketë në përbërje dy fakultete: Fakulteti i Shkencave Humane, i përbërë nga Departmenti i Shkencave Islame, Departamenti i Shkencave të Komunikimit, Departamenti i Drejtësisë dhe Qendra Kërkimore për Dialog Ndërfetar, si dhe Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit, i cili përfshin Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Arabe, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Turke dhe Qendra Kërkimore për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Mësimdhënia në Universitetin Islam të Shqipërisë do të zhvillohet në gjuhët arabe, shqipe dhe turke, ndërkohë që edhe gjuha angleze do të jepet intensivisht si lëndë e gjuhës të huaj gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve.

Rektori i Universitetit Bedër është Dr. Ferdinand Gjana, i cili ka një CV të pasur akademike dhe një përvojë shumë vjeçare në fushën e Arsimit të Lartë.

Universiteti synon që nëpërmjet kurrikulave bashkëkohore, stafit cilësor akademik si dhe infrastrukturës moderne fizike dhe teknologjike, të bëhet një qendër e rëndësishme e studimeve islame jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë në rajon.

Për më tepër www.beder.edu.al

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë