MEDRESETË E SHQIPËRISË

 

Medreseja e Tiranës “H. Mahmud Dashi”

Medreseja e Shkodrës “H. Sheh Shamia”

Medreseja e Durrësit “Mustafa Varoshi”

Medreseja e Elbasanit, “Liria”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë hap dhe mban shkolla fetare Islame parauniversitare të të gjitha cikleve dhe niveleve, sipas kërkesave dhe nevojave në rrethe në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore për arsimin parauniversitar jopublik në Republikën e Shqipërisë. Të gjitha shkollat që hapen nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë funksionojnë vetëm me shkëputje nga puna.

Programet mësimore për lëndët fetare që zhvillohen në shkollat fetare Islame të të gjitha cikleve e niveleve miratohen nga Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Të gjitha ndërtesat e shkollave, kurseve, qendrave kulturore dhe konviktet e tyre janë në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe administrohen prej tij.

Drejtori i shkollave të të gjitha niveleve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duhet të ketë arsim të lartë pedagogjik ose teologjik si dhe të ketë përvojë pune mbi 5 vjet në sistemin arsimor.

Mësuesit duhet të kenë arsim të lartë pedagogjik ose teologjik sipas lëndëve që zhvillohen në shkollë.

Shkollat e mesme duhet të kenë dy zëvendësdrejtorë, nga të cilët njëri duhet të ketë arsim të lartë pedagogjik dhe tjetri arsim të lartë teologjik Islam, si dhe të kenë përvojë pune mbi 3 vjet në sistemin arsimor.

Organizimi dhe programimi i procesit mësimor edukativ në shkollat fetare Islame të të gjitha niveleve si dhe detyrat dhe të drejtat e personelit administrativ dhe mësimdhënës përcaktohen në rregulloren e brendshme të shkollës.

Rregulloret e brendshme të shkollave të të gjitha niveleve miratohen nga Kryesia e KMSH-së dhe zbatimi e realizimi i tyre nga shkollat përkatëse kontrollohet nga Drejtoria e Arsimit të KMSH-së.

Në Medrese dhe shkollat pranohen nxënës konviktorë dhe të jashtëm.Medresetë kanë status të veçantë të miratuar nga  Kryesia.

Medresetë dhe shkollat e të gjitha niveleve, funksionojnë sipas akt marrëveshjeve unike të lidhura në mes Komunitetit Mysliman dhe shoqatave Islame.

Medresetë dhe shkollat jopublike fetare Islame të ciklit të ulët dhe të mesëm funksionojnë me miratim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të RSH. Nxënësit që mbarojnë medresetë dhe shkollat e tjera të mesme jopublike, fetare islame, kanë të drejtë që të kryejnë detyra islame në të gjitha strukturat e  KMSH  dhe gëzojnë të gjitha të drejtat që kanë nxënësit e shkollave publike

Medresetë dhe shkollat e ciklit parauniversitar janë me cikël 9-të vjeçar.

Nxënësit që kërkojnë të vazhdojnë medresetë ose shkollat e ciklit paraunvesitar jopublik të KMSH, përzgjidhen në këtë mënyrë.

a) Çdo nxënës në bazë të kërkesës së tij regjistrohet në sekretarinë e medresesë ose të shkollës duke paraqitur dëftesën e shkollës që ka mbaruar.

b) Përzgjedhja e nxënësve bëhet me testim.

c) Paraqet raport mjeko-ligjor për gjendjen e tij shëndetësore.

d) Të njihet paraprakisht dhe të pranojë rregulloren e brendshme të medresesë ose të shkollës.

e) Të ketë sjellje të mira morale dhe fetare Islame.

Programi i mësimeve Islame në Medresetë dhe shkollat e  të gjitha niveleve, hartohet nga Drejtoria Arsimore, miratohet nga Kryesia, është unik për të gjitha shkollat dhe zhvillohet sipas shkollës juridike Hanefi.

Programi i lëndëve shkencore dhe sociale të medreseve, miratohet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë.

Koordinatori i emëruar nga shoqata sponsorizuese, nuk ka të drejtë të ushtrojë asnjë aktivitet tjetër, të çdo natyre qoftë, përveç detyrës së tij të caktuar në marrëveshjen e përbashkët në mes shoqatës dhe KMSH.

Medresetë për asnjë lloj motivacioni e për asnjë lloj arsyetimi e interesi nuk mund të lëshojnë dëftesë lirimi, për ata që nuk kanë vazhduar medresenë rregullisht, pavarësisht se pretenduesi është i gatshëm të japë  provimet.

Programet mësimore për lëndët fetare që zhvillohen në shkollat fetare Islame të të gjitha cikleve parauniversitare dhe për kurset që zhvillohen pranë xhamive  miratohen nga Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Shkollat dhe kurset që mund të hapen nga shoqata të tjera  Islame, mësimet duhet t’i zhvillojnë sipas shkollës juridike të Medhhebit Hanefi dhe detyrimisht duhet të merret pëlqimi paraprak i Kryesisë së KMSH.

Kurset fetare islame  në rrethe kontrollohen nga Myftiu.

Organizimi i brendshëm i medreseve, orari i mësimeve, mbajtja e dokumentacionit  dhe detyrat e personelit mësimdhënës e të shërbimit, caktohen në rregulloren e brendshme të medresesë ose shkollës.

Medresetë pranojnë donacione nga shoqata ose individë të ndryshëm dhe hyjnë në marrëveshje të veçantë me secilin prej tyre, duke informuar dhe marrë pëlqimin e shoqatës sponsorizuese kryesore dhe Kryesisë së KMSH.

Marrëdhëniet me shoqatën sponsorizuese i mban dhe i realizon drejtori i medresesë i cili përfaqëson Drejtorinë Arsimore të KMSH.

Drejtori i Medresesë koordinon dhe bashkërendon punën me përfaqësuesin e shoqatës sponsorizuese për garantimin dhe realizimin e akt marrëveshjes.

Trupi mësimor i lëndëve fetare dhe pedagogjike si dhe personeli  i shërbimit drejtohen dhe mbajnë lidhje vetëm me Drejtorin e Medresesë ose të shkollës.