KRYESIA E KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË

Kryesia e Komunitetit Mysliman është organ ekzekutiv kolegjial dhe vendimet i merr me shumicë votash, 50+1% e pjesëmarrësve në mbledhje.

Mbledhja e kryesisë zhvillohet detyrimisht me pjesëmarrjen e mbi 2/3 të anëtarëve të saj.

Votimi në Kryesinë e KMSH bëhet i hapur.

Në qoftë se anëtaret nuk paraqiten pas dy lajmerimesh brenda 5 ditesh, kryesia e fillon mbledhjen me pjesemarrjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve.

Kryesia e Komunitetit Mysliman përbëhet nga Kryetari, Nënkryetari, Kancelari, Myftiu i Tiranës dhe Drejtorët e Drejtorive.

Kryesia është organ kolegjial dhe vendimet i merr me shumicë votash, me votim të hapur, me praninë e 2/3 të anëtarëve të saj.

KOMPETENCAT E KRYESISË

  • Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë mban marrëdhënie dhe bashkëpunon me organet e Shtetit shqiptar, me komunitetet fetare dhe shoqatat Islame, si dhe lidh marrëveshje bashkëpunimi e ndihme me këto organe e organizma shtetërore e fetare, brenda dhe jashtë vendit.
  • Kryesia e Komunitetit Mysliman ndjek në vazhdimësi çdo ditë punën dhe veprimtarinë e drejtorive, sektorëve dhe myftinive. Organizon ceremonitë fetare dhe pritjet në raste festash fetare dhe vizita të ndryshme që bëhen në Komunitetin Mysliman.
  • Kryesia i propozon Këshillit të Përgjithshëm për ndryshimin e Statutit, Aktit të Themelimit dhe Rregullores së Brendshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
  • Kryesia i propozon Këshillit të Përgjithshëm jo më pak se dy kandidatura për Kryetar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
  • Përcakton strukturën organizative dhe numrin e punonjësve fetarë e civilë të Komunitetit Mysliman e të Myftinive dhe vendos për ndryshimet në strukturë, organikat, numrin e punonjësve dhe i kalon për miratim në Këshillin e Përgjithshëm në mbledhjen e parë të zakonshme.
  • Organizon administratën e Komunitetit Mysliman dhe ndjek e kontrollon veprimtarinë e përditshme të saj.
  • Emëron dhe shkarkon të gjithë nëpunësit fetarë e civilë sipas strukturës organizative dhe organikës në qendër dhe për çdo myftini.
  • Me propozim të Myftiut, emëron imamë, vaizë, hatibë dhe muezinë.
  • Cakton pagat për çdo vend pune sipas funksioneve dhe jep shpërblimet.
  • Vendos për ngritjen e shkollave parauniversitare të të gjitha niveleve, universitare dhe kurseve fetare Islame, në bazë të akteve ligjore e nënligjore në Republikën e Shqipërisë për sistemin arsimor parauniversitar dhe arsimin e lartë.
  • Vendos për botimin e librave shkollorë e jashtë shkollore fetarë, botimin e revistave fetare, sociale e letrare dhe botime te tjera në gjuhën shqipe dhe të huaj.
  • Vendos për dërgimin e nxënësve dhe studentëve për studime jashtë shtetit.
  • Merr në analizë treguesit ekonomik e financiar, problemet e pronave, dhe raportet e kontroll revizionimit, të paraqitura nga drejtoritë përkatëse dhe komisionet e përhershme të Këshillit të Përgjithshëm.
  • Me propozim të Myftinive të rretheve dhe të Drejtorisë së Vakf-Investimeve, Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë vendos për ndërtimin e xhamive dhe objekteve të tjera të rëndësishme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
  • Kryesia për çdo material ose propozim të paraqitur merr vendimin përkatës.
  • Kryesia e KMSH organizon festa fetare të përbashkëta, takime, simpoziume dhe konferenca fetare me tarikatet e besimit Islam.