Në kuadër të 25 vjetorit të lirisë së besimit në vendin tonë, Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër dhe Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës, organizuan simpoziumin e parë ndërfetar mes tre shkollave teologjike, myslimane, ortodokse dhe katolike, me temë: “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”.

Rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, u shpreh se mënyra më e mirë për zgjidhjen e konflikteve është parandalimi i tyre. “Ka mënyra të ndryshme për t’i zgjidhur konfliktet që kanë pushtuar botën sot, por ne jemi mbledhur për t’i parandaluar ato, pikërisht duke u përcjellë ju studentëve, brezave të ardhshëm, mesazhe të rëndësishme të dialogut ndërfetar nga përfaqësues të botës akademike myslimane, orthodhokse dhe katolike”, tha z. Gjana.

Ndërsa Atë Mario Imperatori theksoi se, çdo njeri ka të drejtë ta kërkojë Zotin lirisht, pavarësisht fesë ndërmjet të cilës e kërkon atë dhe është pikërisht është ky fakt, ai i cili na shtyn të respektojmë të drejtat religjioze të tjetrit.

Ndërkohë Vlash Plepi nga Akademia Teologjike Orthodhokse, ndau me të pranishmit rëndësinë e bashkekzistencës paqësore, duke sjellë në fokus të diskutimit shembuj të shumtë nga historia e përbashkët fetare e vendit tonë.

Ndërsa Dr. Genti Kruja, Drejtor i Kulturës në KMSH, vuri theksin mbi rëndësinë e përkufizimit të lirisë së besimit në Islam, duke trajtuar shembuj nga Kur’ani dhe tradita profetike.

Bashkëbisedimi vijoi më tej me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studentëve të pranishëm, të cilët shprehën entuziazmin dhe ndanë mendimet e tyre në lidhje me çështje të ndryshme të lirisë së besimit dhe dialogut ndërfetar.

Pas simpoziumit, përfaqësues të komuniteteve fetare janë pritur në një takim edhe nga kreu i Komunitetit Mysliman në selinë e tij.

2 dhjetor 2015

12314326_1215644625116847_2198881575783910253_o 12314353_1215648675116442_2740900898729662839_o KMSH0067