zk1a3189

Drejtues të lartë të shtetit dhe personalitete të jetës fetare, politike e shoqërore kanë vizituar sot selinë e Komunitetit Mysliman për të uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.

Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij përcolli urimet më të mira për Kurban Bajramin dhe përgëzoi KMSH-në për kontributin e çmuar në ndërtimin e një shoqërie me shpresë.

“Në cilësinë e Kreut të Shtetit ju uroj nga zemra të gjithëve sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin! Gëzuar Festën e shenjtë të Kurban Bajramit! Gëzuar dhe për shumë vjet këtë Festë të mrekullueshme dhe kuptimplotë të sakrificës njerëzore. Përgëzoj KMSH-në për kontributin e çmuar. Ju mbani gjallë shpresat dhe inspironi shpresë në mbarë shoqërinë, jeni përçues të modelit të mirë, për vëllazëri dhe të ardhme të ndritur në Shqipëri”, tha ndër të tjera Presidenti i Republikës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, gjatë vizitës në KMSH, uroi të gjithë besimtarët për Kurban Bajramin dhe bëri thirrje për më shumë barazi në këtë ditë të shenjtë, me shpresën se kjo festë do të sjellë mbarësi dhe të mira për të gjithë.

Mesazhe urimi përcollën edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, prefekti i Qarkut të Tiranës, z. Sadi Vorpsi, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet znj. Lorela Konomi, deputetë, politikanë, përfaqësues të partive politike në vend, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Pjesë e kësaj dite të begatë e festive u bënë edhe drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kishës ortodokse Anastas Janullatos, përfaqësues nga Kisha Katolike, z. George Frendo dhe Don Henry, personalitete të jetës publike, përfaqësues të shoqatave bamirëse, drejtues të institucioneve arsimore islame, si dhe një numër i madh besimtarësh e qytetarësh të kryeqytetit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon të gjithë drejtues të lartë të shtetit dhe personalitetet e jetës fetare, politike e shoqërore, si dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj dite të shënuar.

12 Shtator 2016

 zk1a3136 zk1a3228zk1a3063 zk1a3265zk1a3090 zk1a3115    zk1a3229 zk1a3003 zk1a3292