IMG_0200

Artistë, intelektualë dhe gazetarë të shumtë ishin pjesë e tryezës së rrumbullakët të zhvilluar nga Universiteti Bedër, në kuadër të nismës globale universitare kundër ekstremizmit të dhunshëm, “P2P: Challenging Extremism”, nismë kjo e iniciuar nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Kontributi i artistëve dhe intelektualëve në promovimin e tolerancës dhe bashkëjetesës” i zhvilluar si pjesë e projektit të lartëpërmendur mblodhi sëbashku intelektual të fushave të ndryshme dhe artistë, përmendim këtu: Znj. Margarita Xhepa, Z. Mirush Kabashi, Znj. Myfarete Laze, Z. Sokol Angjeli, Z. Mërkur Bozgo, Z. Agim Baçi, Z. Armand Bora, Z. Pëllumb Vorpsi, Z. Ilir Hoxholli si dhe përfaqësues të shumtë të fushës së medias dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i aktivitetit ishte bashkimi i individëve në një koalicion të paqes dhe mirëkuptimit, siç u shpreh edhe moderatori i panelit Z. Aleksandër Çipa në fjalën e tij përshëndetëse. Shefi i unionit të gazetarëve e cilësoi bashkimin e këtyre figurave publike si një nismë fisnike që e bën Universitetin Bedër pjese të zinxhirit të paqes.

Ndërsa koordinatori i projektit Z. Erlis Çela i njohu të pranishmit me projektin “Spread Values and Peace” i cili synon që nëpërmjet medias sociale të jetë një zë që i kundërvihet diskursit ekstremist duke promovuar një qasje pro vlerave universale dhe paqes. “Ne synojmë që modelin e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit që ekziston në Shqipëri ta eksportojmë si model edhe për shoqëritë e tjera në mbarë botën”,- tha ai, duke shtuar se Universiteti Bedër është një ndër 45 universitetet e përzgjedhura nga e gjithë bota për të qenë pjesë e kësaj nisme.

Rektori i universitetit Prof. Dr. Ferdinand Gjana gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksoi se terrorizmi sot në botë është rrjedhojë e një degjenerimi në ideologji dhe interesa i cili po lufton jo vetëm kundër grupeve të caktuara por kundër paqes së gjithsecilit. Ai i falenderoi të pranishmit per ndihmën e treguar në zgjidhjen e këtij problemi botëror dhe tha se këtë nismë e sheh si pjesë të misionit të institucionit që drejton dhe jo thjesht si një iniciativë universitare.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Zëvendës Shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës Amerikane Znj. Megan McGill e cila përgëzoi studentët dhe stafin e Bedër për vullnetin e treguar në përfshirjen në nismën globale kundër ekstremizmit.

“Kënaqësi për mua t’ju bashkohem sot për të diskutuar vlerat e tolerancës dhe kontributin tuaj në këtë drejtim. Ne besojmë se mbështetja e ideve më të mira të të rinjve do të jetë efektive për të luftuar dhunën dhe ekstremizmin në botë”, – u shpreh ajo.

Më tej artistët pjesëmarrës në takim sollën në vëmendjen e të pranishmëve momente nga jeta e tyre artistike që dëshmojnë për realitetin mirëkuptues dhe tolerancën në vendin tonë.

IMG_0081 IMG_0189  12241297_1208845632463413_4385627263923553598_n 12249967_1208846402463336_3229227036021480748_n