Me rastin e lindjes së Profetit Muhamed (s.a.s), Myftinia e qytetit të Librazhdit organizoi simpoziumin me temë: “Profeti Muhammed a.s Krenaria e Njerëzimit”

I organizuar në pallatin e kulturës së këtij qyteti, ky simpozium mblodhi së bashku përfaqësues institucionesh, imamë të shumtë, myftinjtë e qytetit të Korçës, Përrenjasit, Tiranës,  si dhe dhjetëra besimtarë të fshatrave dhe qytetit të Librazhdit.

Aktiviteti filloi me lexim Kur’ani për të vijuar më pas me fjalën përshëndetëse të Myftiut të zonës Z. Ardit Hoxhllaku, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe bashkë-organizatorët në organizimin e këtij simpoziumi, u ndal në rëndësinë dhe vlerën që ka në jetën dhe besimin tonë kujtimi i vazhdueshëm i Profetit Muhammed (s.a.s) si çelës për të fituar dashurinë e Allahut.

Më tej ishte radha e Nën Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Z. Bujar Spahiu, të ndante me të pranishmit një referim të shkurtër mbi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në jetën e komunitetit.

Sipas tij, cilësitë karakteriale të Profetit Muhamed (a.s) janë shembulli më i mirë për të gjithë ne, shembull mbi të cilin çdo besimtar mysliman duhet të ndërtojë jetën e tij, moralin, marrëdhëniet me njerëzit dhe çdo veçori tjetër.

Ndërsa Myftiu i Korçës z. Ledian Cikalleshi dhe ai i Tiranës Z. Ylli Gurra, në referimet e tyre ndanë me besimtarët e pranishëm tema të shumta si: morali, dhembshuria dhe mëshira e Profetit Muhamed (a.s), mënyrat se si i ndërtonte Profeti ynë marrëdhëniet si burrë shteti, si baba dhe si udhëheqës.

Simpoziumi vazhdoi më tej me një dokumentar të shkurtër mbi jetën e Profetit Muhamed (a.s) ilahi të përgatitura me këtë rast etj.