Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, zhvilloi sot në selinë e institucionit një takim pune me të gjithë myftinjtë e rretheve të vendit.

Ky takim vjen si nevojë e diskutimit të mënyrës së menaxhimit të ndihmave që çdo myftini ka mbledhur me anë të thirrjeve në xhamitë përkatëse dhe fondeve të ardhura nga burime të tjera për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në fjalën e tij, kryetari Spahiu falënderoi të gjithë myftinjtë për angazhimin, kontributin dhe mbledhjen e fondeve monetare dhe materiale për familjet e lartë përmendura. Më tej ai u ndal në angazhimin dhe sensibilizimin e të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve të cilët kontribuan në forma të ndryshme.

Takimi vijoi më tej me nënkryetarin e KMSH-së, z. Taulant Bica, kancelarin, z. Ylli Cikalleshi dhe drejtorin e Vakf-Investimeve, z. Edison Hoti, të cilët ndanë me të pranishmit një tablo përshkruese të gjithë angazhimit të institucionit të KMSH-së, dhe fushatës së ndihmave të ndërmarrë në shërbim të kësaj ngjarjeje.

Më tej, myftinjtë e rretheve të prekura nga tërmeti, ndanë me të pranishmit situatën në të cilën ndodhen këto zona, më konkretisht folën mbi problematikat, nevojat dhe veprimet e ndërmarra deri më tani.

Takimi vijoi më tej me sugjerime dhe diskutime të ndryshme nga të pranishmit mbi menaxhimin e vlerave monetare, koordinimit të punës dhe prioritetet e radhës në tejkalimin e kësaj situate.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë