ZK1A0091

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, priti në një vizitë zyrtare ambasadorin e ri të Izraelit në Shqipëri, z. Boaz Rodkin. 

Kryetari Bruçaj e falënderoi z. Rodkin për vizitën. Ai vlerësoi marrëdhëniet që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Izraelit, ndërsa kërkoi shtrirjen e këtyre marrëdhënieve edhe ndërmjet Komunitetit Mysliman dhe Ambasadës së Izraelit në vendin tonë.

“Marrëdhëniet e dy vendeve tona e bëjnë edhe më të lehtë bashkëpunimin tonë në të ardhmen”, tha z. Bruçaj.

Diplomati izraelit e falënderoi z. Bruçaj për pritjen e ngrohtë e të përzemërt. Ai e priti me kënaqësi ftesën e z. Bruçaj për të intensifikuar marrëdhëniet dhe për të zgjeruar kontaktet midis dy institucioneve.

Gjatë bisedës, z. Rodkin nënvizoi se e ka ndjerë që në fillim miqësinë për popullin e tij nga populli shqiptar, për të cilën u shpreh:  “E kam ndjerë që në fillim miqësinë e popullit shqiptar për popullin tim. Këtë gjë po e vërtetoj edhe sot, gjatë vizitës në institucionin tuaj. Ne duhet të punojmë akoma më shumë për të theksuar këtë miqësi”.

2 qershor 2015