ZK1A5849

Në kuadër të projektit “Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit duke promovuar vlerat demokratike dhe angazhimin qytetar”, u zhvillua sot (28.07.2016) në ambientet e Tirana International Hotel konferenca me po të njëjtën temë me imamë të rretheve: Kavajë, Elbasan, Pogradec dhe Librazhd. Ky projekt mbështetet financiarisht nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe implementohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Konferenca u përshëndet nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Donald Lu, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në kryeministri, z. Sandër Lleshi si dhe nga anëtari i Komitetit Shtetëror të Kulteve z. Servet Gurra.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i KMSH-së theksoi rëndësinë e përpjekjes për të gjeneruar vlerat që na këshillon feja dhe shtrirjen e këtyre mesazheve në një netuork sa më të gjerë të shoqërisë.

“Gjithmonë duhet të jemi në përpjekje për të përçuar vlerat më të mira në shoqërinë ku jetojmë. Bashkëpunimi duhet të jetë sa më i frytshëm me të gjithë faktorët dhe instancat të cilat lidhen me komunitetin që ne jetojmë. Besimi ynë është kundër çdo ekstremizmi. Ai e shikon njeriun bazuar në vlerat universale dhe moralin e tij”, tha z. Bruçaj.

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë u shpreh se Ambasada Amerikane është e përkushtuar të punojë mbi këtë çështje në të gjitha nivelet – me qeverinë, me të rinjtë dhe me udhëheqësit fetarë. Gjithashtu z. Lu tha se në jemi njerëz që besojmë në Zot dhe kemi detyrën të luftojmë për drejtësi në komunitetet tona.

“Si njerëz që besojmë në Zot, qofshim myslimanë, të krishterë, hindu apo budistë, kemi detyrën të luftojmë për drejtësi në komunitetet tona. Për mua, kjo drejtësi përfshin: Të dalësh kundër dhunës në familje, të mbështesësh shkollimin e djemve dhe vajzave, të mbrosh të varfrit, dhe të parandalosh të gjitha format e dhunës, përfshirë ekstremizmin e dhunshëm. Ju punoni çdo ditë për të përkrahur këto vlera. Në veçanti, po i ndihmoni të rinjtë që të përcaktojnë vlerat që do të ndjekin gjatë gjithë jetës së tyre.  Shpresoj që sot të mësoni ide të reja se si mund të ndihmoni të rinjtë të shmangin rrugën e radikalizmit dhe të dhunës në komunitetet tuaja”, tha z. Lu

Gjithashtu në sesionin e përshëndetjeve mbajtën fjalën e rastit këshilltari për Sigurinë Kombëtare në kryeministri, z. Sandër Lleshi si dhe anëtari i Komitetit Shtetëror të Kulteve z. Servet Gurra.

Më pas konferenca vijoi me dy panele ku panelistët referuan mbi çështjet e parandalimit të ekstremizmit dhe angazhimit qytetar.

Paneli i parë përbëhej nga nënkryetari i KMSH-së, z. Ali Zaimi, Shefi i Departamentit të Sigurisë dhe Bashkëpunimit OSBE, z. Adrian Nessel dhe drejtori i programin në IDM, z. Gjergji Vurmo.

Në këtë panel u diskutua mbi ndërtimin e aftësive të brendshme ndaj ekstremizmit të dhunshëm, partneriteti në nivel lokal, rritja e kapacitetit të komuniteteve, suporti i grupeve vulnerabël dhe niveli i bashkëpunimit të strukturave të ndryshme të KMSH-së në nivel kombëtar dhe lokal.

Paneli i dytë përbëhej nga kancelari i KMSH-së, z.Ylli Cikalleshi, Myftiu i Durrësit, z. Redin Quku dhe imami i xhamisë së Et’hem Beut, z. Elton Karaj.

Në këtë panel u diskutua për imamët dhe rolin e xhamive në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në nivel lokal.

Në pjesën e fundit drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë pranë KMSH-së dhe njëherësh menaxheri i projektit në fjalë, z. Fejzi Shaholli sqaroi imamët dhe pjesëmarrësit në lidhje me projektin i cili do të implementohet në qytetin e Kavajës, Elbasanit, Pogradecit dhe Librazhdit. Gjithashtu ai solli për të pranishmit edhe eksperienca nga projekti i një viti më parë i cili u implementua në zonat periferike të Tiranës.

ZK1A5843 ZK1A5926ZK1A5946ZK1A5956ZK1A5824  ZK1A5864   ZK1A5949