Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mori pjesë në konferencën shkencore “Medhhebi Hanefij, Prioritetet dhe Sfidat”, të organizuar nga tri institucionet më të larta fetare në Maqedoni: Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, Medreseja “Isa Beu” dhe Fakulteti i Shkencave Islame.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u përfaqësua nga kryetari z. Skender Bruçaj, Drejtori i Burimeve Njerëzore z. Dorian Demetja, Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë z. Fejzi Shaholli, si dhe z. Eton Karaj, lektor në Shkollën e Lartë “Hëna e Plotë – Bedër”.

image-e89c238e45e021c541a0ca97ab3b66d99a609825351cc0f50a1b4fb97875cf06-VNë fjalën e tij kryetari Bruçaj u shpreh se Islami është sistemi universal i cili i përgjigjet nevojave të çdo kohe e vendi dhe, si i tillë, jep zgjidhje për çdo çështje apo kërkesë që del nga jeta. “Përshtatshmëria e ideve të tij, e bën islamin gjithmonë aktual e jetësor, për arsye se në vetvete përmban koncepte nga të gjitha sferat e aktivitetit njerëzor si teologjik, ekonomik, socio-shoqëror, administrativ, etj.”, tha z. Bruçaj.

Kryetari Bruçaj gjithashtu u bëri thirrje bashkësive islame shqiptare për një bashkëpunim më të gjerë, veçanërisht në fushën e arsimit.

“Bashkësitë Islame nuk mund të jenë indiferente ndaj mënyrës se si shkollohen fëmijët, e ardhmja e kombit tonë, se si e marrin edukimin fetar qoftë në shkollë ose nëpër xhami. Duke vlerësuar nismën e kësaj konference, e shoh të domosdoshme një bashkëpunim më të gjerë mes institucioneve të bashkësive islame në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri në platforma të ndryshme, qofshin ato akademike mes fakulteteve të shkencave islame, hartimi i teksteve fetare, deri edhe te ndërtimi i një strategjie që do eliminonte problemet aktuale duke ju bërë ballë sfidave të kohës.”, theksoi kreu Bruçaj.

Ndërkohë z. Demetja, trajtoi temën: “Qëndrimi i Ebu Hanifes gjatë zhvillimeve politike të kohës”, ndërsa z. Karaj diskutoi mbi “Telfikun dhe këndvështrimin e Imam Sharaniut në veprën el- Mizan.”

Konferenca u organizua në datat 31 tetor dhe 1 nëntor 2015 në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame dhe të Medresesë Isa Beu në Shkup dhe ishte një hap i rëndësishëm për të analizuar dhe kuptuar më më mirë medhhebin mbizotërues ndër shekuj në Ballkan, atë Hanefij.

Në konferencë morën pjesë ligjërues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.

12065685_1144646418898818_9211514354354723740_n 12108923_1144646552232138_5268461414789008501_n 12193452_1144646498898810_8990838480696994534_n