Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu priti në selinë e institucionit Ambasadoren e Palestinës, znj. Hana A.S. Shawa.

Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu e njohu me aktivitetin e KMSH-së ndër vite dhe rolin që ky institucion ka në ruajtjen e stabilitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë shqiptare.

Gjithashtu z. Spahiu vlerësoi edhe kontributin e Ambasadës së Palestinës në politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me vendin dhe veçanërisht me institucionin e KMSH-së.

Nga ana e saj, Ambasadorja znj. Shawa, vlerësoi qëndrimet e Komunitetit Mysliman në ruajtjen dhe promovimin e mëtejshëm të harmonisë ndërfetare të vendit dhe rolin e tij aktiv në promovimin e vlerave të besimit duke çmuar punën dhe angazhimin e treguar nga KMSH.

Bashkëbisedimi vazhdoi më tej duke prekur një sërë tematikash me interes të përbashkët.