Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Medresenë e Tiranës, zhvilluan programin artistik me titull: “Profeti Muhamed a.s Krenaria e Njerëzimit”.

I zhvilluar në kuadër të muajit Rebiul Euel, muajin e bekuar në të cilin ka lindur Profeti Muhamed a.s, aktiviteti përmbante në brendi të tij poezi, dramë, ilahi, dhe pjesë të ndryshme teatrale të performuara nga vetë nxënësit e Medresesë në kujtim të jetës së Profetit (s.a.s).

Programi u çel me leximin e disa ajeteve kuranore për të vazhduar më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman, H. Skënder Bruçaj, i cili pasi falënderoi organizatorët për zhvillimin e këtij programi dhe pjesëmarrësit e pranishëm, u ndal në rëndësinë që luajnë aktivitete të tilla në rifreskimin e besimit tek të gjithë ne.

“Ardhja e Profetit Muhamed alejhi selam shënon plotësimin e dhuntisë së Zotit ndaj njerëzimit. Ai është burim frymëzimi për çdo epokë, çdo brez, çdo kulturë e çdo popull, sepse ai erdhi t’i njohë njerëzit me Krijuesin e tyre, t’i shpëtojë nga çdo lloj skllavërie fizike, mendore e shpirtërore; erdhi që njerëzit të jetojnë në paqe, erdhi për të zhdukur errësirën dhe për të përhapur dritën, erdhi për të mposhtur padrejtësitë, erdhi që njerëzit t’i udhëzojë drejt lumturisë së kësaj bote e asaj të amshuar.”- tha ai.

Programi i cili u zhvillua në ambientet e Universitetit “Bedër”, mblodhi sëbashku pedagogë, studentë si dhe familjarë të shumtë të nxënësve.