Në vigjilje të muajit të bekuar të Ramazanit, Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi mbledhjen e parë të punës me myftinjtë dhe administratorët për vitin 2024.

Ky takim, i mbajtur në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, u çel me leximin e disa ajeteve Kuranore nga imami i xhamisë “Et’hem Beu” e njëkohësisht Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj.

Për të vijuar më tej me fjalën e kryetarit të institucionit, H. Bujar Spahiu, i cili pasi i falenderoi ata për kontributin e deritanishëm në qytetet ku ushtrojnë aktivitetin, theksoi vendosjen e objektivave optimale për muajin e bekuar të Ramazanit në çdo myftini të vendit.

“Ne si myslimanë kemi një favor dhe një përgjegjësi të dyfishtë në këtë periudhë ku ndodhemi. Ramazani është një kohë e jashtëzakonshme që ne të jemi prezent thuajse në të gjitha qelizat e shoqërisë. Kemi në dispozicion një muaj të plotë nga i cili mund dhe duhet të përfitojmë më të mirën për veten tonë, por ajo që është edhe më e rëndësishme, të shembëllejmë tek pjesa tjetër e shoqërisë çdo virtyt të lartë që na mëson ky muaj.” – tha ai.

Ndërsa nënkryetari i KMSh-së, z. Taulant Bica, theksoi organizimet fetare si çelësin për ta bërë këtë muaj, por edhe vitin në të cilin sapo kemi hyrë, një oaz të gjallë shpirtëror për të gjithë besimtarët në mbarë vendin tonë.

Një pikë tjetër e këtij takimi ishte edhe prezantimi me disa çështje administrative, të cilat i ndau për të pranishmit kancelari i institucionit.

Më tej, Drejtori i Vakf-Investime, z. Edison Hoti, ndau me të pranishmit zhvillimet më të fundit në këtë aspekt.

Duke qenë se jemi në fazën e regjistrimeve për haxhin e këtij viti, të pranishmit i njohu me ecurinë e deritanishme, Koordinatori i Haxhit e njëkohësisht Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, i cili me këtë rast, kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për ta realizuar me sukses këtë organizim madhor të institucionit.

Takimi vijoi më tej në formën e pyetje-përgjigjeve ndërmjet të pranishmëve.