Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore për Mësimin e Kuranit dhe Fondacionin El-Furkan, organizuan, më 19 dhjetor 2015, ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e  Konkursit të dytë Kombëtar të Kuranit.

I pranishëm në këtë aktivitet nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, u shpreh se mësimi përmendësh i Kuranit është një shërbim i madh që i bëhet besimit islam, vetë Kuranit, por edhe marrëdhënieve mes njerëzve.

“Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me lejoni t’ju përgëzoj për këtë aktivitet mjaft të rëndësishëm. Ai që mëson Kuranin dhe vepron sipas tij, për çdo ajet që ka mësuar do ketë një gradë në Xhenet. Uroj dhe shpresoj që me lejen e Zotit, këta hafizë që kemi sot këtu, me lejen e Zotit, të bëhen ndërmjetësues në botën e përtejme.”, tha z. Spahiu.

Ai gjithashtu u ndal edhe të rëndësia e të mësuarit të Kuranit teksa tha se më i mirë ndër njerëz është ai që mëson Kuran dhe ua mëson atë të tjerëve. Nënkryetari Spahiu përgëzoi fondacionin El-Furkan dhe drejtorin Urim Rexhepi, që në 10 vitet e ushtrimit të aktivitetit të tij në vend, ka nxjerrë me dhjetëra hafizë.

Në konkurs morën pjesë 82 konkurrentë djem dhe vajza nga rrethe të ndryshme të vendit. Fituesit u vlerësuan me certifikata vlerësimi dhe në vlerë monetare të ndryshme sipas niveleve te konkursit.

Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishin edhe përfaqësuesi i ambasadës së Arabisë Saudite z.Halid Al-Mutairi, përfaqësuesi i Organizatës Botërore për Memorizimin e Kuranit Hafizi i nderuar Ahmed Batayah, miq dhe të ftuar të tjerë.

19 dhjetor 2015

  12341094_829001183895295_7747771126821295690_n 12366201_829000707228676_5221726704320312549_n 12376608_829000650562015_6334031578645860486_n