Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: “Ndërtimi i Urave Ndërmjet Medhhebeve (shkollave juridike) Islame”, konferencë kjo e organizuar nga Liga e Botës Islame (RABITA) në Mekke të Arabisë Saudite, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, Mbretit Selman bin Abdulaziz Al Saud.

Në të marrin pjesë krerë fetarë, myftinj, studiues dhe një numër i konsiderueshëm personalitetesh të shquara nga sekte të ndryshme islame.

Si një ndër referuesit me ftesë të posaçme nga Kreu i RABITA-s, z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa, kryetari Spahiu, ndau me të pranishmit temën: “Vlerat e përbashkëta islame dhe karakteristikat dalluese të medhhebeve”.

Konferenca synon të përmirësojë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërmjet sekteve islame përmes takimit të tyre vëllazëror shkencor për t’i shërbyer qëllimeve të përbashkëta, veçanërisht në lidhje me çështjet madhore që kërkojnë unitetin e mendimit legjitim.

Gjatë këtij aktiviteti, kryetari Spahiu shoqërohej nga Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli dhe këshilltari i tij për marrëdhëniet me vendet arabe, z. Jamal al-Safarti.