Zhvillohet konferenca ndërfetare në Shkodër, me temë: “Hapat drejt dialogut dhe harmonisë ndërfetare”
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë e njëkohësisht Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për këtë vit, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Ambasadës Hollandeze në Shqipëri, z. Reinout Vos, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, z. Angelo Massafra, përfaqësuesit nga Kisha Ortodokse në Shkodër dhe Këshilli Botëror i Bektashinjve, Drejtori i Qendrës Rinore “ARKA”, qendër në të cilën u zhvillua kjo konferencë, z. Marjan Lukani, si dhe studiues e studentë nga institucionet arsimore të komuniteteve fetare të Shkodrës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Spahiu, e vlerësoi këtë konferencë si një demostrim të vlerave të larta të qytetarisë, vëllazërisë dhe harmonisë që mbart Shkodra.
“Shpeshherë ka përpjekje të pakuptueshme për të krijuar një realitet që nuk elziston, loja për të ngritur iluzione se në Shkodër ka një rivalitet mes feve, më të fortë se në qytete të tjera të vendit, është e pavend. Bashkëjetesën harmonike fetare në Shqipëri, e veçanërisht në Shkodër, e kanë dëshmuar jo vetëm dijetarët e feve por edhe studiues, historianë, e shkrimtarë vendas e të huaj.”
Ndërsa Ambasadori Hollandez, vuri theksin në format më të shpeshta të radikalizmit që hasen në përditshmërinë tonë dhe kujdesin që duhet treguar në çdo rast.
Më tej, z. Angelo Massafra, u shpreh se feja e vërtetë i bashkon njerzit dhe është e hapur ndaj dialogut ndërsa ekstremizmi fetar mund të sjellë vetëm ndarje.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe përfaqësuesit e tjerë fetarë të pranishëm, të cilët përollën mesazhe të ndryshme harmonije, dialogu dhe bashkëpunimi.
Pas ceremonisë së hapjes, konferenca u zhvillua më tej në dy sesione diskutimi, sesione në të cilët, gazetarët, studiuesit, akademikët dhe studentët e shkollave me përkatësi të ndryshme fetare në vendin tonë, trajtuan aspekte të shumta të forcimit të dialogut dhe harmonisë ndërfetare në Shkodër e në mbarë vendin tonë.