Në kuadër të 7-8 Marsit, Zyra e Gruas pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi në ambientet e Tirana International Hotel, aktivitetin artistiko-fetar me titull: “Gruaja, arkitektja e shoqërisë”.

Ky aktivitet mblodhi sëbashku figura të shquara të skenës dhe ekranit shqiptar, përfaqësues të institucioneve të ndryshme publike e private të vendit, mësues, nëna, gra e fëmijë.

Aktiviteti u çel me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Enes Hyka, për të vijuar më pas me fjalën hapëse të znj. Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas në KMSH, e cila falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u ndal në aktualitetin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe nevojën e organizimeve të tilla si një domosdoshmëri për të evidentuar problematikat dhe zgjidhjet më të mira për çdo rast.

Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, i cili ndau me ta shkurtimisht vendin që ze gruaja në fenë islame, duke e ilustruar fjalën e tij me disa shembuj nga Kurani famëlartë dhe tradita Profetike.

“Islami urdhëron dashuri e respekt ndaj gruas e jo dhunë, urrejtje, sharje të çfarëdo lloji qofshin ato. Mirësjellja me gratë është urtësi e urdhëruar nga vetë Zoti. Po ashtu edhe Muhamedi (a.s.) proklamoi kondita e ligje të një sistemi të ri jetësor për mbarë njerëzimin. Në veçanti një respekt i madh iu kushtua edhe femrës duke i dhënë të drejta të plota e të barabarta me burrin deri atëherë të mohuara nga sistemet e ligjet shoqërieve të kohës.” – theksoi ai gjatë fjalës së tij.

Fjalë të rastit mbajti edhe nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, znj. Keti Luarasi, e cila përgëzoi Zyrën e Gruas në KMSH për këtë organizim domethënës dhe ndau me të pranishmit mbështetjen e institucionit që ajo përfaqëson në konsolidimin e mëtejshëm të rolit të gruas në sektorin publik e atë privat.

Pas përfundimit të fjalëve përshëndetëse, aktiviteti vijoi më tej me panelin e referimeve, panel i cili përbëhej nga Prof. Dr. Gjergji Sinani, Rektor i Kolegjit Universitar “Bedër”, Dr. Iris Luarasi, Drejtore e Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza, z. Gëzim Tushi, Sociolog dhe znj. Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas në KMSH, të cilët referuan respektivisht me temat: “Edukimi, demokracia dhe dinjiteti i personit”, “Dhuna ndaj gruas”, “Kujdesi për familjen, kusht për shëndetin e shoqërisë” si dhe “Gruaja dhe formimi i identitetit të saj në fenë islame”.

Ky panel ja la vendin interpretimeve të ndryshme kushtuar nënës, gruas e vajzës nga figurat e shquara të skenës dhe ekranit shqiptar që merrnin pjesë në këtë organizim.