Në kuadër të vizitës disa ditore që po zhvillon në vendin tonë, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa, i shoqëruar nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, vizituan ditën e sotme Medresenë e Tiranës, ku u pritën nga Drejtori i saj, z. Ndriçim Gjimi.

Vizita në këtë institucion arsimor ishte organizuar si një takim i të lartëpërmendurve me rreth 60 fëmijë jetimë të qytetit dhe fshatrave të Tiranës.

Në takimin me ta, takim ky i cili nisi me leximin e disa ajeteve Kuranore nga Ahmed Mezruh, Dr. el-Isa, ndau mesazhe të ndryshme sociale duke veçuar edukimin si rrugën e vetme për një të ardhme më të mirë, si në aspektin personal të të pranishmëve po ashtu edhe në atë shoqëror. Sipas tij, mbështetja e kësaj kategorie fëmijësh në fazen e tyre të rritjes është jetike dhe detyrë e cila bie mbi të gjithë ne, parë kjo si në rrafshin fetar po ashtu edhe në atë social e humanitar.

Në fund të takimit, Dr. el-Isa, shpërndau për fëmijët e pranishëm disa çanta me pajisje shkollore dhe dhurata të ndryshme simbolike.

Më tej, Drejtori i Medresesë, z. Gjimi, e prezantoi Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Islame, me disa klasa dhe ambiente të tjera të institucionit duke e njohur nga afër me organizmin, aktivitetin dhe arritjet kombëtare e ndërkombëtare të institucionit në fushën e edukimit.