Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të restaurimit të dy xhamive të qytetit të Peshkopisë.

Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm gjithashtu edhe Myftiu i Qytetit, z. Muis Kurtulla, Kryetari i Bashkisë “Peshkopi”, z. Rahim Spahiu, Drejtori i Vakf-Investimeve në KMSH, z. Edison Hoti, Kryetari i Fondacionit “Mirënjohja”, z. Abdusamet Shehu, Kryetari i Qendrave Islame në Gjermani, z. Mensur Efendi Halili, Myftiu i Bulqizës, z. Sejdin Strazimiri, si dhe besimtarë të shumtë të qytetit.

Ky program u çel me leximin e disa ajeteve Kuranore nga imami Ylli Xhari, për të vazhduar më tej me fjalën hapëse të myftiut të Dibrës, z. Kurtulla, i cili pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, theksoi dhe njëherë nevojën që kishin dy xhamitë e këtij qyteti për tu restauruar dhe problematikat që hasnin gjatë frekuentimit të tyre. Më tej, ai falenderoi besimtarët të cilët shprehën gatishmërinë e tyre në restaurimin e xhamive.

Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe Kryetari Spahiu, i cli përgëzoi çdo besimtar që me kontributin e dhënë është bërë pjesë e kësaj vepre, duke merituar mirënjohjen e njerëzve dhe shpërblimin e premtuar prej Zotit të Gjithësisë.

“Xhamitë janë vatër e edukimit në themel të të cilave qëndron dashuria, respekti dhe adhurimi i Allahut (xh.sh). Ndërtimi, restaurimi, mirëmbajtja dhe frekuentimi i tyre përbën një ndër bazat e besimit tonë të pastër Islam. Mbledhja jonë këtu sot është dëshmi e qartë e traditës së bukur fetare që karakterizon Dibrën.” – theksoi ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë u shpreh i entuziazmuar për pjesëmarrjen në këtë ceremoni të veçantë që i shton vlerë jetës fetare e asaj kulturore të qytetit.

Përshëndetje të rastit mbajtën edhe të ftuarit e tjerë të nderit të cilët përcollën mesazhe të shumta paqeje, harmonije dhe bashkëpunimi.

Një pikë tjetër e rëndësishme e këtij aktiviteti ishte edhe shpërndarja e certifikatave të mirënjohjes për të gjithë besimtarët që me kontributin e tyre bënë të mundur restaurimin e të dy xhamive.

Në fund të kësaj ceremonie, besimtarët u bënë pjesë e koktejlit të organizuar me këtë rast.