Departamenti i Shkencave Islame në KU Bedër zhvilloi panelin me titull: “Profeti Muhamed a.s, mëshirë për botët”, i cili u moderua nga pedagogu i këtij departamenti, z. Veton Tulla.

Të ftuar në këtë panel ishin nënkryetari i KMSH z. Bujar Spahiu si dhe Dr. Xhemal Saferti, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame, të cilët mbajtën referimet e tyre rreth lindjes, mëshirës, mirësisë, favoreve që Allahu ju ka bërë besimtarëve me anë të dërgimit të Profetit Muhamed (a.s) ndërmjet tyre.

Nënkryetari i KMSH në fjalën e tij u shpreh se Profeti Muhamed (a.s) ishte flamur i faljes, mëshirës e dhembshurisë.

“Sjellja dhe jeta e Tij (s.a.s) ishte shembulli më i përsosur për gjithë njerëzimin. Bazuar në këtë çdokush që e do dhe e ndjek Muhammed Mustafanë, duhet të jetë shembull ideal për shoqërinë ku ai jeton.”- përfundoi z. Spahiu.

Ndërsa Dr. Saferti gjatë fjalës së tij tha se Ai ishte shembull për këdo që e ndjek dhe e do Atë.

Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë disa hadithe për të gjithë pjesëmarrësit.