Ditën e enjte, më datë 16 qershor 2016, është zhvilluar në Prishtinë në ambinetet e Hotel Swis Diamond, Konferenca Shkencore “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”, organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Kjo konferencë vjen pas asaj të zhvilluar në Tiranë më 16 shkurt 2016, kushtuar pikërisht botimit të plotë të Kolanës Zani i Naltë në 10 vëllime, si një botim i përbashkët i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë.

Në këtë konferencë merrnin pjesë drejtues të lartë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe shumë studiues, akademikë dhe intektualë.

Konferenca fillimisht u hap me një këndim Kur’ani nga kryevaizi i KMSH-së Imam Lauren Luli, e më pas nën moderimin e H. Resul ef. Rexhepit, sekretar i përgjithshëm i BIK, u zhvillua seanca e përshëndetjeve, ku kanë përshëndetur Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, nënkryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu, Myftiu i Tetovës Dr. Qani Nesimi, si dhe Myftiu i Ulqinit z. Ali Bardhi.

Myftiu i Kosovës, z. Tërnava, ndër të tjera u shpreh se, “Revista Zani i Naltë mbetet një nga veprat kolosale, e realizuar në një kohë historike, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm me një ndikim gati prej një shekulli.”

Ndërsa, nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, tha se, “revista Revista Zani i Naltë, kjo tribunë intelektuale, në përgjigje jo vetëm të nevojave të kohës, mbeti gjatë në memorien e zhvillimit kulturor të shqiptarëve, duke kontribuuar në pasurimin e vlerave të shoqërisë shqiptare. Ajo revistë pati një rëndësi shumë të madhe jo vetëm për edukimin fetar islam të popullatës shqiptare, por ajo zgjoi edhe ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore të popullit shqiptar.”

Më pas nën moderimin e z. Ahmet Sadriu dhe z. Sabri Bajgora janë zhvilluar dy seanca shkencore, ku studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si Akademik Feti Mehdiu, Dr. Fahrush Rexhepi (dekan i Fakultetit të Studimeve Islame, Prishtinë), Dr. Genti Kruja (drejtor i Kulturës në KMSH dhe njëkohësisht drejtor i revistës Zani i Naltë), Dr. Hysen Matoshi, Dr. Qani Nesimi, z. Ramadan Shkodra (drejtor i Kulturës në BIK) dhe z. Sadik Mehmeti, kanë paraqitur kumtesat e tyre shkencore, lidhur me kontributin e madh të “Zanit të Naltë” në trashëgiminë islame në gjuhën shqipe gati një shekull më parë.

Revista “Zani i Naltë” njihet si revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman Shqiptar e themeluar më 1923, e cila ka zgjatur si periudhë e parë e botimit deri më 1939. Ndërsa tashmë ajo e rivazhdon botimin e saj, që prej tetorit të vitit 2012, si një revistë shkencore dhe kulturore me një redaksi me studiues nga të gjitha trevat shqiptare, e cila përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë në fushat e shkencave të ndryshme islame dhe sociale.

Pas konferencës për të pranishmit Myftiu Tërnava ka shtruar një iftar në ambinetet e Hotel Swis Diamond.

IMG-20160617-WA002413411796_10154079055737631_579776966628173727_o-1-1 13418395_1054065107963525_8382035225953735653_o 13433293_1054065131296856_2821588758933852922_o 13483237_1054064967963539_6194764096687121699_o  IMG-20160617-WA0025 (1) IMG-20160617-WA0027