IMG-20150203-WA0002Kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj, zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivit Qendror të Shtetit, z. Gjet Ndoj. Kryetari në këtë takim shoqërohej nga Drejtori i Kulturës, z. Genti Kruja.

Kryetari Bruçaj e njohu z. Ndoj me disa projekte të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të cilat mund të realizohen në sajë të bashkëpunimit ndërinstitucional me Arkivin Qendror të Shtetit. Një nga projektet më të rëndësishme mbetet digjitalizimi i plotë i Fondit të Komunitetit Mysliman pranë Arkivit Qendror të Shtetit, i përbërë nga qindra mijëra faqe dokumente historike, që nga koha e pavarësisë më 1912 deri më 1923 dhe më pas me themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar i gjithë komunikimi zyrtar dhe marrëdhëniet e KMSH-së me institucione të ndryshme, deri në mbylljen e tij më 1967.

Gjet Ndoj, pasi shprehu kënaqësinë e këtij takimi dhe vizitën e bërë nga kreu i KMSH-së, u shpreh i gatshëm për finalizimin e një marrëveshje ndërinstitucionale, ku si përfundim do të bëhet digjitalizimi i plotë i Fondit të KMSH-së i ndodhur në AQSH, gjë që do të jetë një vlerë për të dy institucionet e lartpërmendura.

Komuniteti Mysliman pritet të themelojë Arkivin e vet digjital brenda kompleksit të Namazgjasë, ku do të ketë gjithashtu edhe një Bibliotekë, Qendër Kulturore dhe Muzeun e parë Islam në Ballkan.

Arkiva mbetet një pasuri e rrallë, që vlen jo vetëm për ruajtjen e historikut institucional, por edhe një burim i pashtershëm për të zhvilluar studime të ndryshme.

3 shkurt 2015

IMG-20150203-WA0001