Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, mori pjesë mbrëmë, më 26 korrik 2014, në iftarin vëllazëror të shtruar nga Myftinia Shkodër në nder të kësaj vizite, natën e fundit të teravisë së këtij Ramazani.

Pas përshëndetjeve të përzemërta me pjesëmarrësit në këtë sofër bujare, Kryetari i KMSH-së, është interesuar për mbarëvajtjen e aktivitetit të Myftinisë Shkodër gjatë këtij muaj, duke theksuar se institucioni  e ka vlerësuar maksimalisht këtë muaj, duke dhënë mesazhet e besimit dhe humanizmit, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme fetare, bamirëse, sociale, emisioneve të ndryshme televizive dhe radiofonike, sofrave bujare të iftarit etj.

Nga ana e tij, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, falënderoi Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skënder Bruçaj, për këtë vizitë dhe pjesëmarrjen në këtë iftar vëllazëror, duke vlerësuar njëkohësisht përkushtimin e institucionit gjatë këtij muaj në shumë drejtime, në shërbim të vlerave islame dhe në rrugën e lartësimit të Thirrjes Islame në vendin tonë.

Me këtë rast, Myftiu i dhuroi Kryetarit Bruçaj, një kujtim simbolik nga trashëgimia e hoxhallarëve të kaluar të Shkodrës, të bashkuar në një foto të përbashkët, me lutjet më të mira për mbarësinë dhe sukseset e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe misionit të tij.

Më pas, Kryetari Bruçaj, i shoqëruar edhe nga mikpritësit, si dhe anëtarët e Kryesisë së KMSH-së, z. Genti Kruja dhe z. Uran Kalej, mori pjesë në faljen e teravisë së fundit të këtij Ramazani, në xhaminë e Parrucës, ku është mirëpritur nga besimtarët e pranishëm, me të cilët është lutur për pranimin e agjërimit dhe adhurimet e kryera gjatë këtij muaji.

kryetari_KMSH_iftar_teravi 1 kryetari_KMSH_iftar_teravi 2 kryetari_KMSH_iftar_teravi 3 kryetari_KMSH_iftar_teravi 4