Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, ndodhet këto ditë në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, në kuadër të konferencës tre ditore të organizuar nga Forumi për Konsolidimin e Paqes në Shoqëritë Myslimane, me temë: “Paqja Globale dhe Frika nga Islami – Luftimi i Ekstremizmit”, me ftesë të posaçme nga kryetari i forumit, dijetarit të madh, Abdullah bin Bejah.

Në këtë konference, e cila zhvillohet nën kujdesin e ministrit të jashtëm të EBA, z. Abdullah bin Zayed Al Nihjan, marrin pjesë më shumë se 500 dijetare, personalitete, udhëheqës fetarë dhe politik, studiues dhe akademikë nga fe të ndryshme nga e gjithë bota për të diskutuar një temë mjaft aktuale siç është ajo e Islamit dhe e paqes nëpër botë.

Kryetari i KMSH, po merr pjese aktivisht në këtë konference, duke diskutuar, duke marrë pjesë në panele të ndryshme debatesh ku ndër të tjera ai theksoi në prani të të gjithëve se bashkëjetesa ndërkulturore dhe ndërfetarë është një faktor shumë i rëndësishëm në arritjen e paqes mbarë botërore.

Gjithashtu, z. Bruçaj, po zhvillon takime me personalitetet më të larta dhe dijetarë pjesëmarrës në këtë konference, duke i njohur ata me mbarëvajtjen e fesë islame në Shqipëri, si dhe me institucionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe me veprimtaritë e tij, takime në të cilat kryetari Bruçaj po merr përgëzimet dhe urimet më të përzemërta nga udhëheqës fetarë botërorë për angazhimin e tij në shërbim të islamit dhe të myslimaneve në vend dhe në rajon.