Komuniteti Mysliman i Shqipërisë  ka botuar shtatë libra të rinj, katër botime të reja dhe tre ribotime, të cilat do të dalin për herë të parë në treg, të mërkurrën më 9 nëntor në Panairin e Librit “Tirana 2016”

  1. “DREJT LEXIMIT TË KUR’ANIT FISNIK”

“Drejt leximit të Kur’anit Fisnik” (Elif Ba) me autor Elton Karaj është libri i radhës, i cili vjen si botim i ri i KMSH-së, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që duan ta lexojnë Kur’anin në gjuhën e zbritur, në arabisht, për nxënës dhe mësues të medreseve dhe kurseve të xhamive.

  1.  “E LEMJA DHE JETA E TË MADHIT MUHAMED A.S.”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në kuadër të promovimit së jetës dhe veprës së penave të shquara të hoxhallërëve dhe dijetarëve mysliman shqiptarë, tashmë prej disa vitesh ka botuar dhe vazhdon të botojë figura të tilla të ndritura siç është edhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
Në këtë botim të radhës Botimet KMSH vijnë me ribotimin e kryeveprës së tij “E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s.”, botuar për herë të parë më 1934 në 6143 vargje, si një poemë me vlera të mëdha artistike dhe letrare, kushtuar Profetit Muhamed (a.s.). Ky botim vjen i njëjti me botimin origjinal, duke i rujtuar jo vetëm gjuhën e Hafiz Ibrahim Dalliut, por edhe origjinalitetin e botimit të vitit 1934.
Me dëshirën që kjo vepër të nxisë penat e reja për të shkruar në këtë lëmi, shpresojmë, që ky libër të shërbejë jo vetëm për studiuesit e kësaj fushe, por të rrisë edhe dashurinë ndaj Profetit tek lexuesit e këtij punimi me vlera të mëdha.

  1. “VETJA… DHE SIMOTRAT E SAJ (UDHËTIM NË BRENDËSINË E VETES)”

“Vetja… dhe simotrat e saj (Udhëtim në brendësinë e vetes)”, me autor Dr. Selman Aude, botim i Komunitetit Mysliman, kolana “Lexo”. Një libër i përkthyer në disa gjuhë dhe me një lexues të gjerë nga të gjitha shtresat…

  1. “TRE ELEMENTET BAZË TË STRUKTURËS SË NDËRTIMIT TË FESË ISLAME”

“Tre elementet bazë të strukturës së ndërtimit të Fesë Islame” me autor z. Xhemal Balla.

Kjo vepër në tërësinë e saj i është kushtuar trajtesave të Hyjnores, duke u përpjekur për ta përafruar dhe jetësuar atë për mendimin njerëzor. Ajo nxjerr në pah se, feja islame përmbledh parime e dispozita të rendit social, i hap njeriut horizonte të reja të mendimit, e udhëheq atë drejt standardeve të larta morale e njerëzore, si dhe e njeh atë me burimin e përhershëm të paqes e të mirësisë.

Autori i librit e ka konceptuar funksionin dhe përmbajtjen e tre elementeve bazë të strukturës së fesë islame, për t’ia paraqitur me një vizion të qartë dhe aktual individit dhe shoqërisë, duke qartësuar faktin se, Islami nuk është thjesht një ideal abstrakt i kuptuar vetëm në ritualet e adhurimit ndaj Fuqisë Hyjnore, por është një forcë e gjallë, që manifestohet në çdo aspekt të jetës njerëzore.

Me një stil të zgjedhur e të qartë, prof. Xhemal Balla përpiqet të gjejë mënyrat më të përshtatshme dhe të arsyeshme për t’i komunikuar vetëdijes njerëzore, nevojën për të besuar, që njeriu të njohë kuptimin e ekzistencës së tij, të njohë mesazhin hyjnor dhe sistemin e parimeve dhe vlerave që burojnë prej tij.

  1. “NJERIU QË KËRKON VETVETEN”

“Njeriu që kërkon vetveten”, botimi më i ri i Kolanës “LEXO”, Një titull tërheqës i një ngjarjeje të jetuar. Ai u botua për herë të parë në vitin 1991 në turqisht.
Në harkun e këtyre viteve, libri është ribotuar mbi 1.000 herë në origjinal. Është një libër i suksesshëm, i cili çdo ditë e më tepër po bëhet edhe më i njohur. Ai u botua në shqip për herë të parë në vitin 2000 dhe pati një jehonë të madhe te lexuesi shqiptar.
“Njeriu që kërkon vetveten” i përket të gjithëve, por ka një ndikim më të thellë sidomos tek ata që kërkojnë diçka, por akoma nuk e kanë gjetur, tek ata që duan t’i japin kuptim kësaj jete, duke i dhënë përgjigje pyetjeve të tilla, si: “Përse kemi ardhur në këtë botë?”; “Cili është qëllimi i ekzistencës sonë?”; “Ku po shkojmë?”, etj.

Shumë njerëz, pasi e kanë lexuar këtë libër, i kanë dhënë një drejtim tjetër jetës së tyre, duke ndriçuar zemrat e shpirtrat me dritën e besimit të vërtetë te Krijuesi i Gjithësisë. Shumë prej këtyre i shprehën përjetimet e tyre në letra dhe më vonë ato u përmblodhën nga shkrimtari në libra dhe u botuan, duke ndikuar edhe lexues të tjerë. Kështu, sot janë botuar disa libra, që përmbajnë vetëm letrat e lexuesve, ku edhe në shqip janë botuar letrat më të bukura në librin me titull “Një jetë tjetër”.

  1. “PËR TY RINI (MEHMETI NGA DYZXHE)”

Libri “Për ty rini (Mehmeti nga Dyzxhe)” me autor Dr. Halit Ertugrul është një nga librat e ribotuar disa herë në shqip. “Problemet e rinisë” është një ndër çështjet më të rëndësishme të familjes dhe shoqërisë të kohës sonë, pasi përjetohet pothuaj në çdo familje. Ata që kanë synime, interesa dhe pretendime mbi grupet shoqërore, në përgjithësi përdorin të rinjtë për t’ia arritur qëllimeve të tyre. Për këtë arsye përpiqen të tërheqin brenda çdo lloj klani të dëmshëm sa më shumë të rinj. Çdo veprimtari e dëmshme, duke filluar që nga alkooli e droga, nga mosbesimi e deri te ideologjia, nga bota e errët e deri te veprimtaritë haptazi, realizohet nga dora e rinisë. Shkurtimisht, problemet e rinisë e mundojnë familjen dhe shoqërinë.

Libri “Për ty rini (Mehmeti nga Dyzxhe)”, që ju keni në dorë, parashtron zgjidhjet dhe rrugëdaljet e këtij problemi. Ai shpjegon përmes ngjarjeve mësimdhënëse dhe që të tërheqin vëmendjen, se si shpëton një i ri nga një gjendje e dëmshme për shoqërinë, brenda një moskokëçarjeje, një pavarësie dhe një mohimi të hapur. Duke lexuar këtë libër, që ka për temë një ngjarje të vërtetë, të përjetuar, do të gjeni zgjidhjen e problemeve të rinisë dhe nuk do t’i mbani dot lotët nga emocioni që shkaktojnë ndodhitë.

  1. “A DUHET FEJA, A E PENGON BASHKIMIN KOMBËTAR”

“A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, një libër dhe analizë sociologjiko-fetare e patriotit dhe hoxhës së shquar H. Ali Kraja.
Figurat madhore të kulturës dhe të historisë së një kombi nuk mund të jenë të rastit. Ato janë rrjedhojë e një tradite të gjatë, e momenteve të caktuara historike e politike, e faktorëve të shumtë e të gjithanshëm ndikues, edukues e formues. Rruga e formimit të këtyre personaliteteve paraqet një interes të gjerë. Ajo nuk është vetëm një mjet njohjeje apo kurioziteti për të ditur “diçka” rreth tyre. Është një burim me rëndësi për të gjykuar më mirë për rolin dhe veprën e këtyre personaliteteve, për të cilët, me plot gojë, mund të themi se, përbëjnë një “pasuri kombëtare” dhe një shembull për gjeneratat që vijnë pas. Aq më tepër kjo, kur kemi të bëjmë me personalitete të tilla, si Hafiz Ali Kraja.

 

1_14_1selman-aude5

   2_1Print2