H. Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Ing. Ahmed bin Ali el-Biz, zv. Mbikqyrës i Lartë i Qendrës Bamirëse e Humanitare “Mbreti Selman”, me qendër në Mbretërinë e Arabisë Saudite, firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet KMSh-së dhe Qendrës “Mbreti Selman” për financimin e bursave shkollore për nxënës jetimë dhe nevojtarë në medresetë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Projekti në fjalë do t’u vijë në ndihmë 154 nxënësve në medresenë e Tiranës dhe atë të Elbasanit, duke u mbuluar atyre të gjitha shpenzimet shkollore për vitin shkollor 2021-2022, dhe duke u lehtësuar kështu barrën e shpenzimeve familjeve të tyre.

Ky bashkëpunim vjen në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimeve të njëpasnjëshme ndërmjet dy institucioneve, fokus i të cilave ka qenë mbështetja e shtresave në nevojë në vendin tonë si dhe ndarja e vizionit të përbashkët rreth rëndësisë së arsimimit të brezave të rinj.