zk1a3447

Medresetë e vendit kanë çelur sot vitin e ri shkollor 2016-2017. Me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor Medreseja e Tiranës organizoi ceremoninë e hapjes ku ishin të pranishëm kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj, drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi, drejtori i Fondacionit Sema, Omer Çallësh, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër, z. Rahim Ombashi, mësues, prindër dhe nxënës.

Kryetari i KMSH-së siguroi nxënësit që në këtë shkollë do të gjejnë arsimin më cilësor të ndërthurur edhe me moralin e lartë.

“Kur prijësit myslimanë themeluan Medresenë e Tiranës kishin si qëllim fisnik edukimin e brezave me moralin e lartë të fesë Islame por njëkohësisht të jenë të suksesshëm në jetën e përditshme sociale, ta duan kombin e tyre dhe ta njohin mirë përkatësinë e tyre. Unë jam i bindur që këtu do të gjeni mbështetje absolute nga drejtuesit dhe stafi pedagogjik për të realizuar ëndrrat dhe aspiratat tuaja”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Medresesë së Tiranës uroi nxënësit për një vit të suksesshëm dhe theksi rëndësinë e dijes e të diturisë.

“Të jemi sa më shumë të angazhuar dhe të fokusuar në dije dhe në dituri. Thelbi i gjithçkaje është dija dhe dituria. Është shkolla ajo që hedh bazat e edukimit, i jep horizont mendimit dhe botës tonë. Medreseja e Tiranës në këtë drejtim është një nga shkollat më me traditë dhe me arsimin më cilësor. Sot kemi një staf të përkushtuar dhe së bashku me vullnetin tuaj të vazhdueshëm do të thellohemi më shumë në dije dhe dituri”, tha ndër të tjera z. Zaimi

Ndërsa drejtori i Fondacionit Sema u shpreh se për të arritur majat e suksesit duhet punë dhe vullnet. Ai theksoi se Medreseja e Tiranës është vendi i duhur për t’ju ndihmuar në rrugën e dijes.

Në ceremoninë e hapjes përshëndeti edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër, z. Rahim Ombashi i cili tha se nxënësit e kësaj shkolle janë me fat që janë pjesë e saj dhe do të kenë një të ardhme të ndritur.

Gjithashtu gjatë ceremonisë nxënësit e Medresesë performuan me ilahi dhe poezi të ndryshme.

Medreseja e Tiranës është një nga shkollat më me traditë në Shqipëri e cila daton që në vitin 1924. Sot, kjo shkollë mundëson shkollimin e nxënësve në kushte bashkëkohore dhe me cilësi të lartë mësimdhënie. Medreseja njihen për suksesin e saj në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Në këtë shkollë nxënësit kanë mundësinë e shkollimit cilësor duke ndërthurur shkencën me besimin.

13 shtator 2016

zk1a3455   zk1a3411zk1a3376 zk1a3400   zk1a3436  zk1a3357zk1a3359zk1a3404 zk1a3470 zk1a3517zk1a3497  zk1a3528