Pedagogë dhe studentë të Departamentit të Shkencave Islame pranë Kolegjit Universitar Bedër, vizituan Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, me rastin e zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni.

Në fjalën e tij, Përgjegjësi i Departamentit, Dr. Genti Kruja, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me KMSH-në dhe u ndal në aktualitetin e studentëve, stafit dhe aktivitetit të departamentit ndër vite. Më tej, pedagogët dhe studentët e pranishëm në këtë takim uruan z. Spahiu për detyrën e re në shërbim të besimtarëve myslimanë dhe Islamit në vendin tonë.

Nga ana e tij, Kryetari Spahiu shprehu gatishmërinë e plotë për të kontribuar më tej në forcimin e marrëdhënies ndërmjet Departamentit të Shkencave Islame dhe institucionit që ai përfaqëson.

Më tej ai falënderoi të pranishmit për vizitën dhe ju uroi atyre suksese në mbarëvajtjen e mëtejshme të departamentit.