Drejtoria e Arsimit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, ceremoninë e ndarjes së certifikatave për fituesit e olimpiadës vjetore të lëndëve fetare ndërmjet medreseve të institucionit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj, Kryetari i Bordit të Administrimit të Kolegjit Universitar “Bedër”, Dr. Ali Zaimi, Lektori i Departamentit të Shkencave Islame, Dr. Xhemal Saferty, Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në po të njëjtin institucion, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, drejtuesit e medreseve përkatëse, mësues si dhe nxënës të shumtë.

Programi u çel me leximin e disa ajeteve Kur’anore nga hafizi Enes Hyka, për të vijuar më pas me fjalën e rastit të Nënkryetarit Bica, i cili fillimisht shprehu kënaqësinë e prezencës së tij në finalizimin e kësaj gare të bukur në thelbin e së cilës lavdërohet e lartësohet emri i Allahut (xh.sh). Më tej ai u ndal në aktualitetin e disa prej plagëve më të forta nga të cilat po vuan shoqëra njerëzore në ditët e sotme.

“Sot njerëzimi ka më shumë se kurrë nevojë për modelin e njeriut që frymëzohet nga parimet hyjnore dhe ato Profetike, model për të cilin të gjithë jemi dëshmitar se medresetë tona në Shqipëri e kanë ofruar dhe kultivuar ndër vite. Prandaj gjej rastin që në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të falenderoj nga zemra të gjithë stafin pedagogjik të të katër medreseve për punën e vyer dhe përkushtimin e madh që tregojnë në edukimin e brezave të ardhshëm” – përfundoi ai fjalën e tij.

Ndërsa Drejori i Arsimit në KMSH, z. Karaj, shpjegoi rrugëtimin e organizimit të olimpiadave për vitin 2024 ku bëri një përmbledhje të punës së zhvilluar në bashkëpunim me medresetë.

Përshëndetje të rastit mbajtën gjithashtu edhe drejtuesit e tjerë të institucioneve pjesëmarrëse.

Kujtojmë se kjo olimpiadë zhvillohet gjithsej në gjashtë kategori: Arabisht, Besim, Fikh, Kuran 1/2 xhuz, Kuran 1 xhuz i plotë, Kuran 2 xhuzë.

Olimpiada u zhvillua në dy faza, atë me shkrim dhe atë me gojë, ku morën pjesë mbi 100 garues, kryesisht nga cikli i shkollës së mesme, djem dhe vajza.

Për çdo kategori u shpallën 3 vende fitues dhe nga një inkurajues, të cilët tërhoqën certifikatat dhe çmimet vlerësuse sipas kategorive nga përfaqësuesit e institucioneve të pranishëm.

Po ashtu, në këtë ceremoni u vlerësuan edhe rreth 23 mësues nga të katërta medresetë, të cilët u morën me përgatitjen e nxënëse.