Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Myftinia e qytetit të Beratit, organizuan në ambientet e bibliotekës “Vexhi Buharaja” simpoziumin e radhës me temë: “Kurani dhe mesazhi universal i tij”

Në aktivitet morën pjesë dhjetëra besimtarë dhe besimtare të qytetit të Beratit.

Programi u hap me lexim Kurani, për të vazhduar më tej me fjalën përshëndetëse të myftiut të zonës, z. Baftjar Këllezi, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal në rëndësinë që duhet ti japim Kuranit famë lartë në jetën tonë të përditshme.

“Kurani është kreu i mendimit dhe i dijes së shëndoshë. Ai është thesari i mirësive të Krijuesit Mëshirëplotë dhe harta e shenjtë e botëve të ahiretit. Kurani për njeriun është libër urtësie, kushtetutë hyjnore, libër adhurimi, urdhri e thirrjeje, libër përmendjeje dhe meditimi” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Si përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Nënkryetari z. Lauren Luli, fillimisht falënderoi organizatorët dhe besimtarët e pranishëm për pjesëmarrjen e tyre në aktivitet, si dhe autorin e librit z. Xhemal Balla, që sjell për të gjithë lexuesit  “Tefsirin e sures Fatiha”.

“Aktivitete të tilla na shërbejnë që ne të depërtojmë në thellësitë e mirësive të Kuranit famë lartë dhe ta njohim më mire atë. Ne akoma nuk e njohim Kuranin ashtu si duhet. Prandaj ky simpozium i sotëm dhe ky libër mendoj se do të jenë një gurë themel dhe një trashëgimi e madhe që do të kontribuojnë në afrimin tonë të mëtejshëm me Kuranin famë lartë” – tha ai.

Aktiviteti vazhdoi më tej me referimin e Drejtorit të Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, z. Dorian Demetja, i cili theksoi se Kurani është themelor në orientimin e jetës së njeriut drejt të vërtetës hyjnore.

“Myslimanët kanë mundur të arrijnë unitetin mes tyre vetëm me anë të besimit dhe besnikërisë ndaj Kuranit dhe kështu ka për të ndodhur edhe në të ardhmen. Ata që nuk i qëndrojnë besnikë Kuranit, jo vetëm që s’mund të jenë besimtarë të mirë, por edhe as që mund të ngrenë një unitet të qëndrueshëm mes tyre! Duke qenë se Kurani është një libër fetar e edukativ, një libër orientues që kultivon dashuri dhe mbjell frymë paqeje, njerëzit duhet të jetojnë me të, sepse ai është udhërrëfyes për të gjithë ata, të cilët iu përmbahen këshillave dhe mësimeve të tij.”

Më tej, imami i xhamisë së Plumbit, z. Fabjon Kolaveri, në fjalën e tij tha se Kurani jo vetëm që nuk zbehet e vjetërsohet as si fjalë, as si lexim, as si përmbajtje e kuptim, as si origjinalitet e aktualitet dhe as si drejtësi e vlefshmëri, por çdo ditë që kalon, shpirtrave, mendjeve dhe zemrave u fryn frymëzime të reja, u ofron ide dhe njohuri të një niveli më të përparuar dhe e ruan rininë e freskinë duke u bërë çdo ditë më i ri e më i freskët.

“Libri i Kuranit i ndalon njerëzit nga e keqja dhe i dënon ata që bëjnë keq. Ai përmban tregime të Profetëve të kaluar dhe shembujt e njerëzve të këqinj dhe të mirë. Njerëzit në Kuran këshillohen madje dhe obligohen që të jenë të mirë me prinderit dhe të tjerët dhe t’i respektojnë ata. Ai i mëson njerëzit të jetojnë në paqe dhe harmoni.” – tha ai.

Në fund të aktivitetit ishte radha e autorit të librit “Tefsiri i sures Fatiha”, z. Xhemal Balla, të ndante me të pranishmit një analizë të shkurtër gjuhësore e kuptimore të këtij botimi. I cili e sjell këtë punim si përmbledhje të përkthimit dhe të komentimit të sures “Fatiha” të Kur’anit nga veprat e dijetarëve myslimanë, H. Vehbi Dibra, me titull “Ç’urdhëron Kur’ani”; H. Ibrahim Dalliu, me titull “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”; dhe H. Ali Korça “Tefsiri i sures Fatiha”, botuar në revistën “Zani i Naltë”.

 “Surja Fatiha është e bekuar, pasi përfshin bazat themelore dhe mësimet kryesore të Kur’anit Fisnik, rrjedhimisht edhe të gjithë librave të shpallur nga Zoti i Madhëruar. Parë në këtë optikë, ajo shihet si parathënia e Kur’anit, në të cilën përmblidhen shumë të vërteta të patundshme që shpjegohen me hollësi në sure të tjera të tij” – tha ai.

Pas fjalës së tij u shpërnda literatura e revistës drita Islame, Kurani dhe tefsiri i lartpërmendur për të gjithë besimtarët e pranishëm.