Ditën e djeshme, në ambientet e xhamisë “Riza Bajrami” në Durrës, u zhvillua mbledhja e radhës me pjesën tjetër të myftinjve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të cilët mbulojnë kryesisht veriun dhe një pjesë të Shqipërisë së mesme.

I pranishëm në takimin me ta ishte Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kancelari i Institucionit, z. Ylli Cikalleshi, Nënkryetari, z. Taulant Bica dhe Drejtori i Vakf-Investimeve dhe Financës, z. Edison Hoti.

Kjo mbledhje u hap me leximin e disa ajeteve Kuranore nga imami i xhamisë, z. Kadim Rufati, për të vijuar më tej me fjalën hapëse të Kryetarit Spahiu, i cili u ndal në aktualitetin e 6-muajve të fundit të institucionit si dhe theksoi mbështetjen e ndërsjelltë që duhet të karakterizojë marrëdhënien mes myftinive dhe institucionit.

Më tej, fjalën e mori Kancelari i KMSH-së, z. Cikalleshi,  i cili bëri një rezyme të shkurtër të ecurisë së deritanishme të nismave të ndërmarra më herët nga institucioni në përmirësimin e kushteve të punës së përditshme të myftinjve dhe imamëve në rrethe.

Ndërsa Nënkryetari, z. Bica, trajtoi për të pranishmit rendin e ditës, përmendim këtu: Planifikimin dhe dorëzimin e kalendarit vjetor të aktiviteteve të çdo myftinie për vitin 2022, vazhdimësinë e kurseve fetare, mbledhjet periodike me imamët, seminaret trajnuese të myezinëve, angazhimin për Forumin Rinor Mysliman Shqiptar, si edhe u diskutua dhe vu në planin e punës për vitin 2022 ngritja e Institutit të Shkencave Islame.

Në vazhdim, Drejtori i Vakf-Investimeve dhe Financës, z. Hoti, u ndal në riorganizimin e administratorëve të çdo myftinie të vendit si dhe në një raport përshkrues të pronave vakëf të cilat i janë kthyer institucionit dhe ato që janë në proces.

Takimi vijoi më tej në formën e pyetje-përgjigjeve me myftinjtë e pranishëm.