ZK1A0188Është zhvilluar paraditen e sotme, 9 maj 2015, në ambientet e Medresesë së Tiranës, mbledhja e radhës e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Takimi u çel me pjesë nga Kur’ani Famëlartë, kënduar nga kryevaizi i KMSH-së z. Lauren Luli.

Mbledhja e drejtuar nga Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Ylli Gurra, ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën dhe prezantimin e raporteve.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, përshëndeti të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe i falenderoi për prezencën. Ai bëri një rezyme të përgjithshme të aktivitetit dhe vendimeve të marra nga Kryesia e KMSH-së për 6-mujorin e fundit.

Raporti i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm i mbajtur nga kancelari i KMSH-së z. Ylli Cikalleshi, ka evidentuar dhe nxjerrë në pah aktivitetin e përgjithshëm të drejtorive të KMSH-së, funksionimin e instancave të institucionit në nivel qendror dhe vendor, sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë gjashtë mujorit të fundit.

Një prezantim më i detajuar u bë nga disa prej anëtarëve të Kryesisë së KMSH-së, drejtorë të drejtorive të Financës, Kulturës dhe Vakf-Investimeve. Raporti i Drejtorisë së Financave u prezantua nga drejtori z. Taulant Aruçi, i cili solli para Këshillit të Përgjithshëm ecurinë e kësaj drejtorie gjatë periudhës gjashtë mujore, sfidat dhe planet për të ardhmen.

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, z. Genti Kruja, prezantoi raportin e kësaj drejtorie duke përmendur një sërë aktivitetesh të zhvilluara në një kohë të shkurtër, si simpoziume, konferenca, seminare, ekspozita dhe botime librash dhe revistash.

Një vend të veçantë në mbledhje zuri çështja e pronave. Drejtori i Vakf-Investimeve z. Uran Kalej, i njohu anëtarët e KP-së me ecurinë e kësaj drejtorie. Ai përmendi pronat të cilat janë marrë nën juridiksionin e KMSH-së dhe pronat të cilat janë në procese gjyqësore. Z. Kalej foli gjithashtu për punimet e Xhamisë së Namazgjasë, si dhe zhvillimet pozitive lidhur me investime të ndryshme në dobi të vakfit.

Këshilli i Përgjithshëm u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, të cilat më pas janë miratuar nga KP, së bashku me raportin e Kryesisë së KMSH-së.

Në raport u nënvizuan gjithashtu edhe disa prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni i KMSH-së të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.

Nënkryetari I KMSH-së z. Ali Zaimi u ndal mbi nevojën e sqarimit të keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve që i bëhen fesë Islame. “Puna jonë është të jemi ndërtues, konstruktivë dhe motivues për harmoni e vëllazëri mes shqiptarëve, ndaj duhet të jemi të kujdeshëm që me apo pa vetëdije  të mos e cënojnë atë”, tha ndër të tjera z. Zaimi.

Gjatë mbledhjes, nënkryetari tjetër i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, foli mbi muajin e bekuar të Ramazanit, i cili është në prag të ardhjes, si dhe i njohu të pranishmit me aktivitete që do të ndërmerren gjatë kësaj periudhe.

Ndërsa kryetari i Këshillit të Përgjithshëm z. Ylli Gurra ka bërë një përmbledhje të punës katër vjeçare të këtij Këshilli, duke sjellë në vëmendje momente kyçe të zhvillimeve të shumta pozitive të KMSH-së gjatë katër viteve të fundit.

Ndërkohë, anëtarët e Këshillit vlerësuan Komunitetin Mysliman për punën e bërë deri më sot, si dhe dhanë sugjerimet dhe vërejtjet e tyre, duke sjellë gjithashtu para vëmendjes së të gjithëve edhe problematikat e rretheve nga vijnë.

Në fund mbledhja u mbyll me fjalën e kreut të KMSH-së z. Skender Bruçaj, duke përmendur edhe një herë pikat kryesore ku duhen të fokusohen myftinjtë në dobi të asaj çfarë përfaqëson secili prej tyre.

09.05.2015

ZK1A0085ZK1A0234ZK1A0199