Në kuadër të dhjetëra aktiviteteve të organizuara përgjatë gjithë këtij viti jubilar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ditën e sotme, në ambientet e “Tirana International Hotel” u zhvillua edhe konferenca përmbyllëse me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”.

Të pranishëm në sesionin hapës të kësaj konference shkencore, ishin: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Reisul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, H. Shaqir ef. Fetahu, Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Ajni Sinani, Përfaqësuesi i Komunitetit Bektashi, Baba Hasan Dervishaj, si dhe studiues, historianë, akademikë, sociologë të shquar, teologë, e besimtarë të shumtë.

Konferenca nisi me leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë, të sjella për të pranishmit nga imami i xhamisë Et’hem Bej, z. Elton Karaj.

Për të vijuar më pas me fjalën përshëndetëse të kryetarit Spahiu, i cili, pasi falënderoi përzemërsisht të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal në një rezyme të shkurtër të rrugëtimit njëqindvjeçar të institucionit, që nga mëvetësimi e deri në ditët e sotme.

“Në dy dekadat e para, KMSH u konsolidua me kuadro fetar vendas, u hapën insitucione arsimore dhe u komunikua me publikun përmes gazetave e revistave jashtëzakonisht cilësore, si në formë ashtu edhe në përmbajtje. U dhuruan vakëfe, u krijuan fonde e në një kohë rekord ky institucion mbante veten edhe financiarisht. Aktiviteti fetar dhe arsimor ka qenë dhe mbetet prioritet i yni parësor. E megjithatë patëm edhe sfida, sfida që nuk erdhën prej komunitetit specifikisht, ato erdhën si sprovë, e cila më pas na zhyti në një errësirë për më shumë se dy dekada. E kam fjalën për komunizmin. Mbylljen e fesë. Persekutimin e klerit e grabitjen e pronave. Kjo e fundit është një plagë e majisur, por e pambyllur ende. Falë Zotit kjo sprovë u kalua, nuk di të them me sukses apo jo, por ajo që mund të themi është se pas viteve 90 janë të shumta arritjet. Siç mund të përmendim këtu ndërtimin e dhjetra xhamive të reja, konsolidimin e institucionit në shoqëri dhe shndërrimin në një faktor kryesor të paqes, harmonisë e dialogut, kthimin e vakëfeve, investimin e mëtejshëm në arsim nëpermjet medreseve dhe Kolegjit Universitar “Bedër”, por mbi të gjitha, i kemi xhamitë plot me të rinj e të reja praktikantë. Unë kam besim se me Zotin para, ky institucion, pavarësisht emrave, do të jetë model edhe në të ardhmen, ashtu siç ka qenë gjatë këtyre 100-viteve”. – tha z. Spahiu gjatë fjalës së tij.

Sesioni i përshëndetjeve vijoi më tej me fjalën e H. Shaqir ef. Fetahu, i cili u shpreh i entuziazmuar për pjesëmarrjen në këtë aktivitet jubile të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku sipas tij, ky institucion në këto 100 vite histori ka qenë shtyllë e fuqishme e harmonisë ndërfetare dhe gjithmonë ka rrezatuar inspirim për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë shtetit amë.

“Edhe përkundër të gjitha stuhive dhe furtunave ideologjike, mes zinxhirëve, kazamateve e persekutimeve, ky institucion u ka bërë ballë të gjitha sfidave të kohës dhe akoma qëndron më i fuqishëm se kurrë më parë, sepse pas tij qëndruan patriotët klerikë, që dhanë kontribut të madh edhe në çështjet kombëtare dhe iu përveshën punës që kjo frymë të pasqyrohej edhe në jetën e komunitetit mysliman. Sa më e fortë Shqipëria, aq më të fortë shqiptarët, kudo që ndodhen. Sa më të forta institucionet tona, aq më e fortë demokracia brenda nesh dhe aq më e vogël mundësia për të gabuar, e lejuar fryma e ideologji të huaja për ne, për ta përçarë trungun tonë fetar e kombëtar.” – u shpreh z. Fetahu.

Të pranishmit në konferencë i përshëndetën gjithashtu edhe Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Ajni Sinani dhe Përfaqësuesi i Komunitetit Bektashi, Baba Hasan Dervishaj, të cilët ndanë për të pranishmit mesazhe të ndryshme paqeje, solidariteti e bashkëpunimi.

Fill pas fjalëve përshëndetëse, filloi punën paneli i parë i referimeve, panel ky i moderuar nga Dr. Ali Zaimi, Kryetar i Bordit të Administrimit të Kolegjit Universitar “Bedër” i cili e cilësoi këtë konferencë si dëshmitare të qartë të vizionit dhe rëndësisë që KMSH i kushton shkencës, arsimit dhe kulturës.

Më tej, Prof. Asc. Dr. Hasan Bello, ndau me të pranishmit temën: “Themelimi i KMSH-së dhe tre Kongreset e Myslimanëve”, për të vijuar me z. Besnik Mustafaj, i cili hodhi dritë mbi “Rolin e H. Vehbi Dibrës si udhërrëfyes”, ndërsa Prof. Dr. Gjergji Sinani ndau me të pranishmit “Komunizmin dhe fenë: Një marrëdhënie antagoniste, rasti i KMSH-së”. Ky panel vijoi më tej me z. Ramadan Shkodra me temën: “100 vjet revista “Zani Naltë”, ndërsa z. Adi Murtishi, solli për të pranishmit “Bashkësitë Islame Shqiptare, degë të një trungu”. Ky panel u mbyll me referimin e Dr. Denald Prifti me temën: “Legjislacioni shqiptar në lidhje me Komunitetin Mysliman, 1944-1967”.

Konferenca vijoi punimet e saj me panelin e fundit shkencor, këtë herë të moderuar nga Dr. Genti Kruja, Pedagog në Kolegjin Universitar “Bedër”.

Respektivisht, panelistët dhe temat e sjella nga ata në këtë konferencë vijuan si më poshtë: “Roli dhe ndikimi i KMSH-së në zhvillimin e arsimit – sfida dhe perspektiva” nga Dr. Skender Bruçaj, “100 vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë” – Një qasje rreth librit me të njëjtin titull, nga z. Dorian Demetja, “Ringritja e KMSH-së dhe roli i H.Sabri Koçit” nga z. Xhemal Balla, “Komuniteti Musliman Shqiptar pas 1990-s” nga z. Nuredin Nazarko dhe “Vakëfi midis së shkuarës dhe së ardhmes” nga z. Edison Hoti.