DSC_0227

Me ardhjen e sistemit komunist në vendin tonë në vitin 1944, filloi një propagandë e pastër antifetare. Hap pas hapi lufta ndaj klerit fetar u konsolidua në shumë aspekte, derisa arriti kulmin e saj më 6 shkurt të vitit 1967, ku pas fjalimit famëkeq të Enver Hoxhës, Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Në këtë kontekst në ambientet e Universitetit Bedër u zhvillua aktiviteti përkujtimor “In memoriam, 50 vjet nga ndalimi i fesë”.

Paneli i referuesve përbëhej nga: Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Gazmend Aga, Rektori i Institucionit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Genti Kruja, si dhe nga shkrimtari dhe studiuesi Dr. Agron Tufa.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Aga, u ndal në sakrificat e prijësve të shquar myslimanë për të trashëguar vlerat e Islamit deri në ditët e sotme. Më tej ndau me të pranishmit fakte të ndryshme nga propaganda, lufta dhe persekutimi komunist antifetar në vendin tonë.

“Aktiviteti i sotëm është një mesazh i qartë, se ata që i dolën kundër sistemit komunist ndaj luftës antifetare do të kujtohen vazhdimisht në forma të ndryshme nga brezat që vijnë e ikin, ndërsa ata që bëjnë kompromis me të padrejtën harrohen në rreshtat e hitorisë”, përfundoi ai.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i institucionit, pasi falenderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre në aktivitet, u shpreh se përkujtimi i ngjarjeve të tilla është një element i rëndësishëm në edukimin historik të brezave të rinj.

“Shpeshherë njeriu i harron vlerat e lirive themelore, që gëzon në shoqëri dhe reflektimi mbi to është detyrë e përbashkët shoqërore”- tha ai.

Më tej, Dr. Agron Tufa, bëri një rezyme të shkurtër për të pranishmit mbi rolin që kanë luajtur klerikë të ndryshëm në luftën kundër shfarosjes së fesë, duke u ndalur tek dy figura të shquara, siç ishin H. AliKraja dhe H. Sherif Langu. Ai foli edhe për edukimin ateist të brezave të rinj gjatë komunizmit, injektimin e propagandës antifetare në të gjithë shtresat e shoqërisë së atëhershme, prishjen e objekteve të kultit, etj.

Në fund të fjalës së tij ai tha se: “Organizime të tilla duhet të jenë më të shpeshta, jo vetëm në institucionet e edukimit por edhe më gjerë, pasi krimet e komunizmit kundrejt besimeve fetare përbën shkeljen më të madhe të lirive themelore të njeriut, pasi pa besim, njeriun mund ta klasifikosh lehtësisht si objekt”.

Në fjalën e tij, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Kruja, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në aktivitet, bëri një prezantim të shkurtër të përmbajtjes filmike të dokumentarit me ngjarjet, propagandën e pastër antifetare, rihapjen e xhamive dhe persekutimin, që ju bë drejtuesve të shumtë myslimanë.

“Sot jemi mbledhur në këtë platformë për të kujtuar jo diçka të gëzueshme, por për të kujtuar pikërisht 50 vjetorin e një ngjarjeje të dhimbshme e të turpshme të historiografisë shqiptare, atë të fjalimit famëkeq të 6 shkurit 1967 të Enver Hoxhës. Fjalim, që i hapi rrugën zyrtarisht ndalimit të predikimit të çdo lloj feje në vendin tonë, mbylljes së institucioneve fetare sëbashku me aktivitetin e tyre, si dhe prishjen e qindra objekteve të kultit”, tha ai.

Më tej, të pranishmit ndoqën për rreth 40 minuta dokumentarin e përgatitur me këtë rast. Dokumentar, i cili tregon qartë metodat e shumta, që vuri në jetë sistemi komunist me qëllimin e vetëm për të çrrënjosur përgjithmonë besimin fetar nga zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por edhe rihapjen e xhamive të para pas rënies së sistemit në vitin 1990.

Aktiviteti mblodhi sëbashku drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, institucioneve të ndryshme arsimore, familjarë të hoxhallarëve të persekutuar nga sistemi komunist, intelektualëdhe studiues, si dhe studentë të shumtë.

Në hollin e sallës së konferencave është çelur gjithashtu edhe ekspozita “Në gjurmët e dijetarëve dhe prijësve të shquar myslimanë shqiptarë”, ku janë ekspozuar fotografi të rralla të shekullit XIX-XX të personaliteteve të shquara myslimane shqiptare, duke u vizituar kështu nga të pranishmit e këtij aktiviteti, e cila shërben për të promovuar kontributin dhe rolin, që kanë luajtur figura dhe personalitete të shquara shqiptare të kulturës Islame.

6 shkurt 2017

DSC_0230DSC_0200  DSC_0296DSC_0259 DSC_0244DSC_0209 DSC_0220   DSC_0187DSC_0247DSC_0276 DSC_0249  DSC_0174DSC_0300