1

Departamenti i Shkencave Islame dhe Klubi studentor “Mesazhi i Jetës” në Kolegjin Universitar Bedër, kanë nisur ciklin e seminareve të hapura me titull “Kur librat flasin”.

Kjo platformë konsiston në një analizë të përjavshme të librave, apo titujve të ndryshëm të pedagogëve, shkrimtarëve dhe akademikëve shqiptarë e të huaj nga personalitete dhe të ftuar të shumtë.

Në këtë kontekst, në aktivitetin e zhvilluar në bibliotekën e universitetit, si një bashkëbisedim me studentët e Departamentit të Shkencave Islame, është folur rreth botimit më të fundit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë “Ligjërata Islame” të autorit Sheh Qazim Hoxha, i cili vjen si përmbledhje e artikujve të zgjedhur nga ligjëratat e një prej penave më të shquara të dijetarëve myslimanë shqiptarë, botuar në vitet ‘20-‘30 të shek. XX në revistën prestigjioze të kohës “Zani i Naltë”.

Takimi është hapur me një përshëndetje nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, i cili ka vlerësuar këtë aktivitet, si një nxitje për studentët e Shkencave Islame, por jo vetëm, për lexim të autorëve më të shquar shqiptarë të penave islame.

Më pas, një fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, i cili i ka njohur studentët me autorin e këtij libri dhe ciklin e seminareve, që do të vazhdojnë si një platformë promovimesh dhe njohjesh me studimet e ndryshme të dijetarëve myslimanë shqiptarë, duke i bërë këto aktivitete si panele bashkëbisedimi dhe diskutimi rreth veprave dhe librave të ndryshëm të prijësve më të shquar të Islamit në Shqipëri. Pas përshëndetjeve, studenti Sefer Vrana ka lexuar jetën e Sheh Qazim Hoxhës, ku spikat veprimtaria e tij e gjerë në shumë fusha shërbimi.

I ftuar në këtë panel diskutimi ka qenë Imam Elton Karaj, i cili është edhe autori i parathënies së këtij libri. Ai i ka bërë një analizë librit, duke e vlerësuar si një model edhe për ligjëratat e ditëve të sotme. Ai ka vënë theksin gjithashtu mbi nivelin e lartë teologjik dhe intelektual të autorit, i cili i ka pasuruar këto ligjërata me argumente të shumta kur’anore dhe hadithe profetike.

Të pranishëm në aktivitet ishin studentë të shumtë, stafi akademik i departamentit të Shkencave Islame, si dhe nipat e autorit të librit, z. Qashif dhe Hadi Hoxha.

Ky cikël seminaresh do të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim me të tjerë të ftuar, të cilët do të njohin studentët me tituj të shumtë librash të autorëve shqiptarë.

1 shkurt 2017

2 3 4 5 6

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë