Është inauguruar këtë javë xhamia e re në fshatin Gurras të Pogradecit. Në inaugurimin e saj morën pjesë drejtori i Burimeve Njerëzore pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Dorian Demetja, drejtori i Arsimit në KMSh, z. Astrit Zharri, myftiu i Pogradecit, z. Namik Mahmutllari, myftiu i Librazhdit, Taulant Bica, myftiu i Devollit, z. Artur Vrenozi, vaizi shëtitës, z. Zini Muçi, drejtori i shoqatës “WAMY”, Hektor Saliaj dhe besimtarë të shumtë të zonës.

Drejtori i Burimeve Njerëzore, z. Dorian Demetja, u shpreh se xhamitë janë kopshte të begata ku edukohen breza të shëndoshë që i shërbejnë shoqërisë dhe kombit.

“Xhamitë janë kopshte të begata ku mësojmë se si të bëhemi njerëz të devotshëm, me moral të lartë dhe të denjë për shoqërinë. Shpreh mirënjohjen për donatorët dhe të gjithë kontribuesit që mundësuan ndërtimin e saj”, tha ndër të tjera z.Demetja.

Myftiu i Pogradecit, Namik Mahmutllari u shpreh se kjo xhami do të shërbejë për kultivimin e vlerave më të larta njerëzore dhe do të shërbejë për krijimin e një atmosphere më të mirë shpirtërore për zonën.

Gjithashtu të pranishmit theksuan rëndësinë e ndërtimit të xhamive dhe funksionin që ajo luan në ndërtimin e një shoqërie me moral të lartë.

Kjo xhami është ndërtuar me kontributin financiar të shoqatës “WAMY”.

30 31 32 33 34