Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, sëbashku me Myftiun e Shkodrës, z. Muhamed Sytari, Ambasadorin e Kuvajtit, Sh.T.Z. Fayez Mishari Al-Jasim, Kryetaren e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi, Drejtorin e Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, si dhe donatorët, kontribuesit dhe besimtarë të shumtë të zonës hapën dyert e xhamisë së re të fshatit Shirq në Shkodër.

Në fjalën e tij përshëndetëse Nënkryetari i KMSH-së, z. Bica, shprehu falënderime ndaj të gjithë atyre që kontribuuan dhe bënë të mundur ndërtimin e kësaj vepre të hajrit. Sipas tij ndërtimi i xhamive është një bamirësi e madhe ndaj shoqërisë, pasi ky vend do të jetë djep i formësimit të besimit dhe adhurimit ndaj Zotit të botërave.

“Duhet të jetë një kënaqësi e veçantë për të gjithë ne sot inagurimi i kësaj vepre të hajrit nga ku brezat e ardhshëm do të mësojnë dijen, do të mësojnë rreth Krijuesit të gjithësisë.”- tha ai.

Kjo xhami u ndërtua falë kontributit të familjes së nderuar të Dr. Nebil Abdurrahim nga Kuvajti.

Përshëndetje të rastit mbajtën edhe të ftuarit e tjerë të nderit të cilët përcollën mesazhe të shumta të paqeje, harmonije dhe bashkëpunimi.

Pas prerjes së shiritit të përurimit, të pranishmit e shumtë falën bashkarisht edhe namazin e xhumasë së parë në xhaminë e re të Shirqit.