Nën një atmosferë të ngrohtë shpirtërore, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Fondacionin “Mirënjohja”, përuruan kompleksin dhe xhaminë e re të lagjes Kiras.
Ceremonia e zhvilluar në prani të dhjetëra besimtarëve të qytetit, mblodhi së bashku personalitete të ndryshme fetare dhe publike.
I pranishëm në këtë ceremoni inaugurimi, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, në fjalën e tij përshëndetëse pasi falënderoi donatorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e këtij kompleksi, u ndal në rëndësinë që duhet ti kushtojnë besimtarët frekuentimit të saj.
“Xhamitë janë vatër edukimi në të cilat kultivohet dashuria ndaj Allahut (xh.sh), nisur nga kjo uroj dhe shpresoj shumë që besimtarët e kësaj lagjeje por edhe të të gjithë qytetit të Shkodrës, ti japin kësaj xhamie vlerën e vërtetë ku ushqehet mendja dhe shpirti me besim ndaj Krijuesit të Gjithësisë.” – tha z. Bica gjatë fjalës së tij.
Gjatë kësaj ceremonie përshëndetën gjithashtu edhe sekretari organizativ i Myftinisë Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi dhe drejtori për Ballkanin i “Komisionit për Evropën dhe dy Amerikat” në Kuvajt, Shejkh Mahmud En-Nexhdi.
Pas përfundimit të ceremonisë ku personalitetet e lartpërmendur prenë simbolikisht edhe shiritin e përurimit, të pranishmit falën bashkërisht namazin e drekës, duke hapur kështu zyrtarisht dyert e këtij kompleksi.