2

Myftinia e rrethit Pukë në një ceremoni të veçantë ka përkujtuar 25 vjetorin e riorganizimit të Myftinisë.

Aktiviteti u hap me Himnin Kombëtar leximin e disa ajeteve nga Kur’ani i Madhëruar.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, i pranishëm në këtë aktivitet theksoi rëndësinë e besimit dhe nevojën e njeriut për ta jetuar atë.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që ndodhem sot këtu, pasi kjo ditë është e veçantë dhe shumë domethënëse për Islamin dhe myslimanët e kësaj zone. Mirësia e Zotit na mundësoi që pas 50 vitesh pushtim, të çlirohemi nga sistemi komunist, i cili tentoi të mbyllë komunikimin e njeriut me Zotin. Viti 1991 për myslimanët e Shqipërisë dhe të rrethit të Pukës ishte kthim i madh. Prandaj më lejoni që në emër të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’ju përshëndes duke ju uruar për aktivitetin e zhvilluar i cili është mjaft domethënës për myslimanët e Pukës dhe mbarë Shqipërisë”, tha ndër të tjera Spahiu.

Myftiu i rrethit Pukë Gëzim Kopani përshëndeti takimin ku ndër të tjera tha: “Falënderoj Zotin e Madhëruar që na ka bërë të mundur arritjen e kësaj dite. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të Këshillit të Myftinisë  Pukë dua të falënderoj të gjithë ato Myftinj, Imamë, donatorë dhe shoqata të ndryshme islame që kanë dhënë kontributin e tyre në ndihmë të zhvillimit të islamit në rrethin e Pukës.”

Në program ishin të pranishëm personalitete të ndryshme të rrethit të Pukës si, nënkryetari i Bashkisë Pukë, Artan Zaja, prof. dr. Bajram Xhafa, prof. Xhemal Meçi, përfaqësues të myftinisë së Shkodrës, miq nga Kosova dhe besimtarë të shumtë.

Prof. Dr. Bajram Xhafa mbajti një kumtesë ku foli mbi rolin hoxhallarëve pukjanë në shërbim të Atdheut. Më pas prof. Xhemal Meçi mbajti një referat ku solli në kujtesë momente e Riorganizimit i Myftinisë Pukë. Ndërsa anëtari i Këshillit të Myftinisë Pukë, Ylli Hadroj foli mbi dhjetë vjeçarin e fundit të Myftinisë Pukë.

Këshilli i Myftinisë së rrethit Pukë nderoi me certifikata mirënjohjeje dhe falënderimi personalitetet dhe shoqatat që kanë dhënë kontribut pranë Myftinisë së rrethit Pukë.

Në fund të këtij aktiviteti të pranishmit vizituan ekspozitën e përgatitur me rastin e këtij 25 vjetori.

15 maj 2016

1 4 6 7  9 10 811