Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një takim në selinë e institucionit, një delegacion nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga përfaqësues të komuniteteve fetare, institucioneve qeveritare, botës akademike dhe shoqërisë civile.

Ky takim, vjen në kuadër të një vizite studimore dhe ndërfetare që ky delegacion zhvilloi përgjatë tre ditëve në vendin tonë.

Në fjalën e tij, kryetari Spahiu, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, i njohu ata shkurtimisht me institucionin e KMSH-së, si dhe rolin që ky institucion luan në mbarëvajtjen e shoqërisë shqiptare.

Duke qenë se gjatë vizitës së tyre në KMSH, ky delegacion shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, ishte pikërisht ky i fundit i cili i njohu ata me një rezyme të përgjithshme të aktiviteteve ndërfetare dhe angazhimit të KMSH-së në këtë aspekt.

Më tej, anëtarët e delegacionit mik, vlerësuan modelin që ofron Shqipëria në lidhje me bashkëjetesën dhe harmoninë mes komuniteteve fetare.

Në fund të kësaj vizite, delegacioni i lartëpërmendur, u njohën nga Drejtori i Kabinetit në KMSH, z. Ejup Lila, me implementimin dhe arritjet e projektit: “Angazhimi i të rinjve për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”.