Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Rajonale të Ligës së Botës Islame (Muslim World League) në Bosnje-Hercegovinë dhe Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të mbështetur dhe ndihmuar KMSH-në në aktivitetin institucional të tij në vazhdim.
Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu dhe Drejtorit të Zyrës Rajonale të Ligës (Rabitas) në Bosnje-Hercegovinë, z. Abdullah Qari.
Po ashtu, në firmosjen e kësaj marrëveshje e cila u nënshkrua sot në selinë e KMSH-së, ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Gazi Hifdhi.
Në fjalën e tij të rastit, Kryetari Spahiu, shprehu mirënjohjen e tij për këtë mbështetje nga organizata MWL dhe gatishmërinë për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënies mes dy palëve.
“Është një nder për ne në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë të jemi partner kryesor i Ligës Botërore Myslimane në Republikën e Shqipërisë, si dhe të nënshkruajmë këtë marrëveshje për bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët në vazhdim” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Ndërsa z. Qari, u shpreh se është një nder për të të ishte sot në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe të ofronte mbështetjen e organizatës së tij në ecurinë e mëtejshme të aktivitetit institucional të KMSH-së.
Implementimi i kësaj marrëveshjeje do të vijojë me vizitën e Shkëlqesisë së tij, Muhamed bin Abdulkerim el-Isa, Sekretar i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, në vendin tonë gjatë muajit të ardhshëm, si dhe do të shtrihet në fusha të tjera me interes të përbashkët, si bashkëjetesa ndërfetare, bamirësia, aktivitetet shkencore, kulturore, etj.