ZK1A0156

Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Fitër Bajramit. Pas ditëve të agjërimit, lutjeve, adhurimeve dhe leximit të Kur’anit, mijëra besimtarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë ishin pjesë e festimeve dhe faljes së namazit të Bajramit të organizuar si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Festimet e Fitër Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut. Para faljes së namazit të Fitër Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër, pjesë e të cilit ishin tekbire, salavate dhe ilahi.

Programi ka filluar me fjalën më të bukur, me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami i xhamisë së “Et’hem Beut”, z. Elton Karaj.

Ceremonia ka vazhduar me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën tonë.

“Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar. Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, begati gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit”, tha ndër të tjera z. Bruçaj.

Ndërsa nënkryetari i KMSH-së z. Bujar Spahiu, në ligjëratën e tij tha se ne vijmë në këtë festë të madhe pas një Muaji të Bekuar.

“Ky Bajram na ka mbledhur këtu për të përjetuar dhe ndarë mirësitë e kësaj feste të madhe. Vijmë në këtë festë pas një Muaji të Bekuar. Një muaj ku brenda tij ndodhet Nata e Kadrit, nata ku zbriti Kur’ani Famëlartë. Me anë të këtij libri njerëzit udhëzohen në rrugën e drejtë. Në këtë muaj që kaluam Zoti na bërë të kujtohemi për të varfrit, të zgjasim dorën ndaj njerëzve në nevojë e të jemi më të drejtë”, theksoi z. Spahiu

Falja e Namazit të Fitër Bajramit u drejtua nga Kryetari Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra.

“Në këtë sofër bujare të Bajramit gjithsecili ka ardhur për të plotësuar këshillën e profetit. Të gjithë të vrapojmë për të gëzuar një zemër, për të gëzuar një shpirt, qoftë një të afërmi apo një njeriu tjetër. Besimtarët janë besnikë të vendit të tyre. Ata i shërbejnë vendit si në rrafshin fetar ashtu edhe në rrafshin shoqëror e kulturor. Këto festa madhështore na rikujtojnë edhe njëherë virtytet dhe vlerat e larta të dinjitetit njerëzor”, tha myftiu Gurra.

Ndërsa moderatori i programit Oltion Kola, u shpreh se sot ka festë brenda nesh, ne shtëpitë tona, në ketë shesh e më gjerë sot festojmë Fitër Bajrami këtë Bajram të madh që i bën të gjithë të gëzuar, për vetë faktin se Krijuesi i botëve i ka caktuar të tilla këto ditë. 

Të rrethuar nga një atmosferë e ngrohtë besimi e vëllazërie, pjesëmarrësit e shumtë janë përshëndetur dhe kanë ndarë me njëri-tjetrin gëzimin dhe emocionet e kësaj dite të madhe paqeje, mirësie e shpërblimi.

ZK1A0087

  ERI_2963  IMG_3619 ERI_2994 ERI_3060ERI_2948 ZK1A0233ERI_3024