11224634_502519926567849_6665577010887908989_nMyftinia Tiranë ka mbledhur në sofrën e iftarit familjarë e të afërm të dëshmorit të atdheut, Ibrahim Basha, i vrarë në Lazarat rreth tre javë më parë.

Myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra, falënderoi të pranishmit për përgjigjen e ftesës dhe foli për disa nga vlerat e muajit të Ramazanit, në të cilin njerëzit mblidhen dhe ndajnë së bashku gëzimin e kryerjes së një adhurimi dedikuar Zotit të gjithësisë.

Ai shtoi se iftari i sotëm ishte më i veçanti, sepse shtrohej në familjen e dëshmorit të Atdheut, Ibrahim Basha.

Babai dhe nëna e efektivit të rënë në krye të detyrës shprehën vlerësimin e tyre për Myftiun Gurra, i cili edhe në këtë muaj të begatë u gjend pranë familjes Basha dhe së bashku me familjen e të afërmit e tyre u ulën në sofrën hyjnore të Ramazanit, sofër të cilën djali i tyre e përjetonte shumë me ardhjen e muajit të agjërimit, deri në momentin kur një plumb i pabesisë vrastare e mori nga kjo jetë, ndërkohë që ai kryente detyrën e tij ndaj atdheut dhe obligimin e tij karshi Krijuesit.

Myftiu Gurra u lut për shpirtin e oficerit Ibrahim Basha dhe për të gjithë kolegët e tij të rënë në krye të detyrës, duke u shprehur se ata meritojnë respektin dhe mirënjohjen e secilit prej nesh, sepse sakrifikuan jetën e tyre për të mirën dhe sigurinë tonë.

“Dëshmorët janë pasuesit e parë të profetëve dhe krenaria e të gjithëve, sepse sakrifikuan rininë, gjakun, jetën dhe gjithçka të shtrenjtë për të shenjtin Atdhe”, u shpreh z. Gurra.

Efektivi Ibrahim Basha ishte një mysliman praktikant. Pak ditë para se të vritej ai uronte në profilin e tij në facebook të gjithë bashkëfetarët e tij myslimanë me rastin e fillimit të Ramazanit, duke u lutur dhe shpresuar për ta një agjërim të lehtë dhe sakrificë të shpërblyer nga Zoti i madhëruar.

9 korrik 2015

11738066_502520056567836_7390714196946311863_n

11692486_502520096567832_5375157432087023100_n