Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në iftarin e organizuar nga Myftinia e Shkodrës, iftar ky i cili mblodhi sëbashku dhjetëra personalitete dhe përfaqësues fetarë të këtij qyteti, përfaqësues të shoqatave bamirëse, drejtues të myftinive Prizren dhe Ulqin, si dhe pedagogë dhe intelektualë të qytetit të Shkodrës.

Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal në ndryshimin e atmosferës që sjell ky muaj jo vetëm në qytetin e Shkodrës por në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij ky muaj shton solidaritetin dhe bashkëpunimin mes njerëzve dhe na shtyn të gjithëve ne ta duam e ta respektojmë tjetrin, vlera këto të cilat përcillen në të mirë të qytetit dhe vendit.

Ndërsa Kryetari Spahiu, në fjalën e tij vlerësoi unitetin e tryezave të tilla si një shembull paqeje, vëllazërie e solidariteti të cilin duhet ta forcojmë dhe tua përcjellim brezave të ardhshëm për një vend sa më afër besimit në Zot.

“Muaji i Ramazanit është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit” – tha ai.

Më tej fjalën e mori Kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi, ish-Kryetari i K.B.I. Prizren, H. Lutfi Ballek dhe Kryeimami i Ulqinit, Mr. Ali Bardhi, të cilët pasi falënderuan myftininë për mbledhjen e kësaj sofre iftari, shprehën urimet e tyre për një agjërim sa më të lehtë dhe vepra të pranuara tek Zoti i Gjithësisë.

Pas përfundimit të darkës së iftarit, Kryetari i KMSH-së dhe Myftiu i Shkodrës referuan mbi vlerat dhe dobitë fizike e shpirtërore të muajit të Ramazanit në Xhaminë e Parrucës.

Më tej, ata falën sëbashku me dhjetëra besimtarët e pranishëm namazin e teravive.