Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ishte sot i pranishëm në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik të Kolegjit Universitar “Bedër”.

Ky aktivitet mblodhi sëbashku stafin akademik dhe administrativ të Bedër, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, prindër si dhe studentë të rinj dhe aktual të institucionit.

Ceremonia filloi me fjalën përshëndetëse të Rektorit të KU Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve u ndal në historikun e institucionit, duke nxjerrë në pah punën e vazhdueshme të stafit e si rrjedhojë arritjet e studentëve në tregun e punës, brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, u ndal në rëndësinë që duhet ti japin studentët të mësuarit jo vetëm në kontekstin profesional por edhe në atë moral e njerëzor. Më tej ai u ndal në mbështetjen e vazhdueshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ndaj KU Bedër si institucioni më i lartë arsimor i KMSH-së.

“Ky institucion e ka treguar prej vitesh tashmë që misioni i tij nuk është vetëm ti pajisë studentët me diploma por të nxjerrë në treg profesionistë të aftë me moral dhe vlera njerëzore që do të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë të shoqërisë tonë. Prandaj këto 3 vite që do të kaloni në këtë institucion shfrytëzojini më së miri për të ndërtuar themele të forta për të ardhmen tuaj ”

Ceremonia vazhdoi më tej me fjalët përshëndetëse të dekanëve dhe disa prej studentëve aktual të institucionit.

Pas përfundimit të saj, studentët u ndanë sipas departamenteve përkatëse ku vijuan me njohjen e stafit, orareve dhe orientimeve të tjera të nevojshme.