Panair (4)Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, vizitoi Panairin e Librit “Tirana 2014”, i cili po zhvillohet si çdo vit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

I shoqëruar nga nënkryetari Ali Zaimi dhe drejtori i Kulturës Genti Kruja, kryetari Bruçaj vizitoi stendat e shumë shtëpive botuese nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, për t’u njohur nga afër me punën serioze që ata bëjnë për t’i ofruar shoqërisë shqiptare botime cilësore e me vlerë.

Kryetari Bruçaj u ndal edhe në stendat e shtëpive botuese islame. Ai vlerësoi rolin e tyre në përgatitjen e botimeve cilësore dhe kontributin e tyre të çmuar për pasurimin e literaturës islame në gjuhën shqipe.

Sipas z. Bruçaj, ky organizim, që është ngjarja më e madhe kulturore, duhet të shihet si një mundësi e mirë për pasqyrimin dhe promovimin e librit islam.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë merr pjesë prej shumë vitesh në panairin vjetor të librit, duke u prezantuar me shumë nga botimet e tij, të cilat vijnë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e lexuesve.

Në Panairin e 17 të Librit marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë dhe organizata të tjera që punojnë me librin.

Panairi i cili filloi më 12 nëntor, do të qëndrojë i hapur deri më 16 nëntor 2014.

14 Nëntor 2014