
Me ftesë të Kryetarit të Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, Dr. Ali Rashid Al Nuami, u zhvillua në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe një konferencë dyditore me pjesëmarrjen e kryetarëve të bashkësive islame nga vendet e Ballkanit.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar mori pjesë edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përçoi mesazhe të forta për paqen, dialogun dhe nevojën për bashkëjetesë të qëndrueshme mes feve dhe kulturave të ndryshme.
Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu theksoi se feja islame promovon jo vetëm tolerancën, por edhe veprimin konkret për eliminimin e urrejtjes dhe trashëgimisë së saj tek brezat pasardhës. Ai vuri në dukje se përballë konflikteve dhe tensioneve që përfshijnë botën bashkëkohore, është urgjente që komunitetet fetare të jenë shembuj të dialogut dhe mirëkuptimit.
Ndër të tjera ai tha se: “Bashkëjetesa ndërfetare nuk është një shkrirje, por një pranim i sinqertë i ekzistencës së tjetrit si partner në njerëzoren. Sot është koha të shuajmë zjarrin e urrejtjes dhe të kultivojmë një frymë ndërtimi, drejtësie dhe respekti të ndërsjellë.”
Në konferencë u trajtuan tema me interes për zhvillimin e shoqërive ballkanike në kontekstin e vlerave universale të paqes, përbashkimit dhe kontributit fetar në shtetndërtim. Palët pjesëmarrëse u angazhuan për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta për forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e harmonisë ndërfetare si themel për stabilitetin e vendeve të tyre.






Më poshtë mund të lexoni fjalën e plotë të mbajtur nga Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar:
Të nderuar të pranishëm,
Për mua është një nder i madh të jem i pranishëm në këtë takim konsultativ të rëndësishëm në këtë vend të nderuar.
Ky takim vjen në një situatë ku bota është mbushur me konflikte fetare dhe ideologjike, që zhvillohen nën peshën e urrejtjeve të trashëguara ndër dekada, madje edhe shekuj.
Përballë kësaj vale me përmasa të mëdha pasojash negative për brezat që do të na pasojnë, del në pah nevoja urgjente për rigjallërimin e vlerave të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet vetë myslimanëve, si dhe për bashkëjetesën paqësore mes feve dhe kulturave.
Harmonia nuk është një zgjedhje dekorimi kozmetik, por është një nevojë e domosdoshme për mbijetesën e njeriut dhe stabilitetin e shoqërive.
Feja jonë madhështore islame, me metodikën e saj Kur’anore dhe Profetike, nuk mjaftohet vetëm me thirrjen drejt tolerancës, por ndihmon në krijimin e një praktike konkrete dhe edukon ndjekësit e saj rreth domosdoshmërisë së eliminimit të urrejtjeve dhe mostrashëgimin e tyre tek brezat pasardhës.
Për këtë arsye, mund të shohim se si çdo shikim dhe intuitë e paanshme është drejtuar me mendje dhe me zemër drejt këtij qyteti të madh, Abu Dhabi, kryeqytetit të sigurisë dhe paqes, nga ku u lançua edhe Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore (i firmosur nga imami Ahmed Tajib dhe Papa Françesku, më 4 shkurt, 2019).
Nuk ka dyshim se ajo ngjarje e madhe nuk ishte për ne thjesht një mundësi për turizëm, dhe as për të konkurruar për të dalë para kamerave, por ishte një mundësi për ta jetuar atë mendim me shpirt, mendje dhe punë, duke pasuar metodën e Mësuesit më të madh, Profetit tonë të dashur Muhammed (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe pasuesve të tij të nderuar.
Për këtë arsye, ky amanet, më i madhi që kemi mbi supe, kërkon nga të gjithë ne që të jemi të përkushtuar ndaj këtyre përpjekjeve madhore dhe të përkryera, për të qenë në nivelin e këtij vizioni që bazohet në Islam dhe zhvillimin që duhet të përhapet në mbarë botën.
Të nderuar vëllezër,
Bashkëjetesa mes feve nuk do të thotë asnjëherë shkrirje, por do të thotë pranim i ekzistencës së tjetrit dhe trajtim i tij me nder dhe drejtësi si një partner i denjë në njerëzoren dhe jo si armik.
Siç thotë Allahu i Lartmadhëruar:
“Allahu nuk ju ndalon të silleni me mirësi dhe me drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë suaj dhe që nuk ju dëbuan nga vendi juaj.”
Për këtë arsye, unë dëshiroj me gjithë zemër, madje lutem që të dalim nga ky takim me një moto të madhe: “Sot e tutje nuk ka më vend për urrejtje në zemrat dhe jetët tona.”
Ne e kemi provuar shijen e hidhur e urrejtjes për dekada të gjata dhe të dhimbshme, dhe ka ardhur koha që këto urrejtje të ndalen tek ne dhe të mos u transmetohen atyre që vijnë pas nesh.
Në historinë tonë të ndritur ka dëshmi të panumërta, nga të cilat po ju përmend disa:
Së pari, në Taif: pas keqtrajtimit dhe goditjes së Tij me gurë, Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) iu lut Allahut ta udhëzonte atë popullit dhe jo të hakmerrej.
Ai tha: “Përkundrazi, shpresoj që Allahu të nxjerrë nga pasardhësit e tyre njerëz që do ta adhurojnë Allahun”.
Ky është një qëndrim që tregon një vizion për të ardhmen, të pajisur me mëshirë, që nuk zvarritet pas së kaluarës dhe nuk zhytet në urrejtje.
Së dyti, në Mekë: Pas çlirimit të saj, Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) iu drejtua atyre që e kishin përndjekur dhe torturuar, si atë vetë, ashtu edhe shokët e tij, dhe u tha:
“Çfarë mendoni se do të bëj me ju?”
Ata u përgjigjën: “Ti je një vëlla fisnik, bir i një vëllai fisnik.”
Profeti u tha: “Shkoni, jeni të lirë.”
Me këtë akt faljeje, ai mbylli kapitullin e së kaluarës dhe hodhi themelet për një shoqëri të re – të lirë nga hakmarrja, urrejtja dhe armiqësitë.
Së treti, Ali bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të): në letrën e tij drejtuar njërit prej strategëve të tij më të suksesshëm, Malik el-Eshter, vendosi një rregull të artë:
“Njerëzit janë dy llojesh: ose vëlla i yti në fe, ose i barabartë me ty në krijim.”
Kështu ai bëri që lidhja njerëzore të jetë baza e mëshirës dhe drejtësisë.
Kështu kanë qenë edhe të parët tanë të mirë, të dalluar për trimërinë dhe mençurinë e tyre. Ata e kuptuan se urrejtja e trashëguar është një rrezik për brezat, prandaj e kapërcyen atë dhe u larguan prej saj duke kërkuar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
O ju vëllezër të nderuar,
Le të jetë detyra jonë sot që t’i edukojmë fëmijët tanë të bazuar mbi udhëzimin e kësaj rruge dhe dritave të saj dhe mbi shembullin e të parëve tanë të mirë që e ndoqën atë, jo mbi errësirën e tregimeve që nxisin hakmarrje gjakatare dhe ndezin zjarrin e urrejtjes.
Ne duhet t’u mësojmë brezave të rinj se fitorja jonë e vërtetë nuk qëndron në hakmarrje, por në kapërcimin e dhimbjes dhe në ndërtimin e një bote ku mbretëron mëshira dhe respekti i ndërsjellë.