IMG_6495

Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, merr pjesë në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme me temë: “Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri”. Qëllimi i kësaj konference ishte bashkëpunimi i përbashkët për parandalimin e akteve radikaliste dhe aktiviteteve ekstremiste.

Në këtë konferencë gjithashtu ishin të pranishëm, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Sajmir Tahiri, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Donald Lu, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin.

Në fjalën e tij mbajtur në konferencë, z. Bruçaj theksoi se duhet të jemi të gjithë të bashkuar në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit. Ai përmendi disa projekte te KMSH-së si, projekti i Zyrës së Gruas me takimet që organizon nëpër qytete si dhe projektin që organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, “Promovimi i vlerave demokratike dhe qytetarisë aktive në mesin e të rinjve”.

“Të nderuar pjesëmarrës, pavarësisht se ekstremismi i dhunshëm  dhe radikalizmi fetar janë fenomene të reja për Shqipërinë, lufta kundër tyre kërkon një punë të gjatë, të mundishme dhe të vazhdueshme. KMSH ka ndërmarrë iniciativa konkrete dhe po implementon projekte për të luftuar dhe parandaluar fenomene të tilla. KMSH do të vazhdojë organizimin e fushatave sensibilizuese dhe informuese, të cilat do bëjnë të mundur njohjen e shoqërisë me ekstremizmin dhe me mënyrat e përdorura për rekrutimin e individëve, në mënyrë që të mos bien pre e tyre nga padija”, tha ndër të tjera z. Bruçaj.

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Saimir Tahiri theksoi theksoi se “toleranca fetare në Shqipëri është element kyç kundër ekstremizmit”.

Ambasadori amerikan z. Donald Lu theksoi se e mbështet nismën për luftën kundër radikalizmit fetar dhe ekstremizmit. Ai theksoi se edhe gratë dhe nënat mund të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e radikalizmit.

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin, shprehu nevojën e bashkëpunimit mes të gjitha vendeve në luftën kundër ekstremizmit fetar.

Ministri i Mirëqenies Social, z. Blendi Klosi theksoi se Shqipëria e ka përvojën e të qenurit bashkë.  Ai u shpreh se vendi ynë është simbol i bashkëjetesës dhe vllazërimit dhe se radikalizmi nuk ka vend në Shqipëri.

IMG_6496 IMG_6497 IMG_6498 IMG_6499